Alkooli dhe duhani ngadalësojnë shërimin nga frakturat

04/11/2013 00:00

Që alkooli dhe duhani janë të dëmshëm për shëndetin kjo tashmë dihet, por një studim i një grupi shkencëtarësh italianë zbuluan se konsumi i këtyre dy produkteve nga persona që kanë një frakturë, rrezikon seriozisht ripërtëritjen e kockës së thyer.

“Ripërtëritja e kockës, konsolidimi i saj është një proces i gjatë që kalon nëpër disa faza. Ai nis me fazën e parë, menjëherë sapo kocka thyhet. Gjatë fazave të këtij procesi qelizat nisin të rigjenerohen për të kthyer në vend strukturën kockore”, thotë Federico Santolini, udhëheqës i studimit.

Mjeku italian thotë se ky proces është delikat dhe se ndërhyjra më e vogël e elementëve të jashtëm pason një konsolidim të dobët të kockës së thyer, madje ka raste kur pacientët kanë mbetur edhe invalidë, pikërisht për shkak të këtij fakti.

“Sigurisht, duhani dhe alkooli nuk kontribuojnë në rigjenerimin e qelizave të reja. Përkundrazi, që të dyja këto elementë, vecanërisht duhani dhe lëndët narkotike kontribuojnë në një shërim të keq që në vitet pasardhëse pasohet me dhimbje për pacientin”, thotë doktori Santolini.

Në studimin e tyre disa-vjeçar mjekët italianë analizuan të dhënat e mbi 100 mijë pacientëve me fraktura kryesisht në këmbë dhe krahë. 15 përqind e tyre ishin konsumues të rregullt të duhanit dhe alkoolit gjatë periudhës së shërimit. Tek ky numër pacientësh u vu re një rigjenerim më i ngadaltë dhe një strukturë më e dobët kockore edhe pas shërimit të plotë.

Top Channel