“Unë zbulova ku ndodhej Bin Laden, dua shpërblimin 25 mln $”

02/11/2013 15:35

Një amerikan hodhi në gjyq shtetin, pasi sipas tij duhet të shpërblehet me 25 milionë dollarë pasi ishte ai i pari që tregoi vendndodhjen e ish-liderit të Al-Kaedës, Osama bin Laden.

Sipas firmës së avokatisë që përfaqëson 63-vjeçarin Tommy Lee, ai i ofroi autoriteteve vendndodhjen ekzakte të “mbretit” të terrorit në Abotabat, Pakistan, që në vitin 2003.

Vetëm tetë vjet më vonë, në një operacion të udhëhequr prej forcave speciale të “Navy Seals”, amerikanët arritën të eliminonin Bin Ladenin, pikërisht në Abotabad.

Përpara eliminimit të tij, SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për këdo që do të ofronte informacion që do të zbulonte vendndodhjen e Bin Ladenit.

Sipas padisë, zoti Lee, një shtetas amerikan me prejardhje egjiptiane kishte mësuar vendndodhjen e Bin Ladenit nga një i njohur, i cili punonte për një kompani që ai zotëron në fushën e mekanikës.

I njohuri pakistanez, pikërisht nga i njëjti qytet ku u vra Bin Ladeni, i pati thënë në mirëbesim se në një vilë 3-katëshe në Abotabad jetonte lideri i Al-Kaedës.

Këtë informacion, 63-vjeçari ia referoi FBI-së, që me sa duket nuk hetoi kurrë thellësisht mbi fjalët e Lee.

Në vitin 2011, SHBA arriti të lokalizonte Osamën nga burimet e saj të inteligjencës dhe në operacionin e kryer në datën 1 Maj e vrau brenda banesës së tij.

Pavarësisht se informacioni i verifikuar që çoi në vrasjen e kreut të Al-Kaedës nuk erdhi prej Lee, ai pretendon se ishte i pari që dha informacionin e saktë e ndaj i takon shpërblimi prej 25 milionë dollarësh, i cili nuk u akordua kurrë.

E pyetur nga “Associated Press”, FBI nuk ka pranuar ende të lëshojë një koment.

Top Channel