“Oficeri SS” përzihet nga supermarketi

01/11/2013 17:10

Një admirues i nazismit krijoi një situatë problematike në një supermarket në Kembrixh, pasi i veshur si një oficer SS u konfrontua me një kliente, duke detyruar policinë private që të ndërhynte.

Paul Dutton kishte identifikuar veten edhe më parë në profilin e tij në “Facebook” e tek miqtë si një neonazist dhe kishte pritur ditën e Hellouinit, për të pasur një pretekst për t’u veshur në atë mënyrë.

Ndonëse në disa vende shfaqja e simboleve naziste përbën një vepër penale, përfshi edhe në Gjermani, në Britaninë e Madhe nuk ka një ligj të tillë që e kufizon të drejtën për t’u veshur apo mbajtur në publik simbole të tilla.

Megjithatë, Dutton, i cili kishte marrë në supermarket edhe të birin, u konfrontua me një shtetase me origjinë polake, e cila mbeti e fyer dhe e skandalizuar nga kjo veshje, pasi të gjithë gjyshërit e saj ishin shfarrosur në dhomat e gazit të Gjermanisë Hitleriane.

Për të shmangur një përballje fizike dhe për shkak të pakënaqësisë që neonazisti po shkaktonte midis klientëve të tjerë, ai u detyrua nga rojet e sigurisë që të largohej nga ambientet e dyqanit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Dutton protestoi duke pretenduar se ishte shkelur një e drejtë e tij njerëzore, e cila sanksionohet në kushtetutë dhe se ishte larguar në mënyrë të padrejtë nga supermarketi, kur në fakt “agresorja” ishte gruaja që e sulmoi verbalisht.

Çështja e tij ka krijuar debate të shumta në rrjetet shoqërore, me persona që kundërshtojnë mënyrën provokuese dhe aspak të përshtatshme të veshjes së Dutton e të tjerë që mbrojnë lirinë e tij të veshjes sipas dëshirës, përsa kohë kjo nuk është e sanksionuar me ligj.

Ky rast u raportua gjerësisht ditën e premte në faqet e të përditshmeve britanike.

Top Channel