Gjykata e Lartë në Itali la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos që e dënon me 4 vite burg,Silvio Berluskonin për evazion fiskal që lidhet me çështjen “Mediaset”.
Gjykata ka rikthyer për rigjykim nga një tjetër trupë gjyqësore në Milano të vendimit për ndalimin nga të gjitha funksionet publike të “Kavaljerit” për pesë vjet.
“Silvio Berluskoni nuk del fitimtar nga gjykata”, shkruan Corriere Della Sera.
Më 8 maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Milano konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Silvio Berlusconit me katër vjet heqje lirie e ndalimin për pesë vjet të detyrave në poste publike nga ana e tij.
Por në këtë rast, Berluskoni nuk do të përfundojë asnjë vit pas hekurave. Tre nga nga katër vitet e dënimit i falen në bazë të uljes së dënimeve të dekretuar në 2006-ën. Vitin e mbetur ai do ta kalojë në arrest shtëpie sepse përfiton nga mosha mbi 70-vjeçare.
Ish-kryeministri u akuzua për një shkelje fiskale prej 7,3 milionë eurosh të kryer duke manipuluar çmimet e filmave të blerë nga “Mediaset”. Rishqyrtimi i dënimit për ndalimin e ushtrimit të detyrës në postet publike pritet të shmangë një tërmet të mundshëm në qeverinë italiane.
Nëse Berluskoni nuk do të mund të jetë më deputet dhe forca politike e drejtuar prej tij, dhe forcat e tjera që e mbështesin, mund të krijojnë një termet të vërtetë politik, me dorëheqjen masive të deputetëve të tyre dhe humbjes së mbështetjes për qeverinë Letta.
Top Channel