“Shqip”, e djathta pas zgjedhjeve

01/07/2013 00:00

Një javë pas zgjedhjeve, vëmendja e “Shqip” e Rudina Xhungës u përqendrua tek e djathta dhe ajo që po ndodh në këtë kamp pas humbjes së thellë në zgjedhje.

Njëkohësisht, qeverisja e ardhshme Rama-Meta u vendos në qendër të vëmendjes së analistëve Arbër Krasniqi e Alfred Lela e politikanëve, Spartak Ngjela e Grida Duma, që komentuan për sfidat që pret të majtën në marrjen e pushtetit në muajin shtator.

Një bisedë e gjithëanshme, që nisi nga një element domethënës, letra që kryeministri në detyrë i  drejtoi një të riu në rrjetin “Facebook”, e ku ai lë të kuptosh se nuk do të tërhiqet ende nga skena politike.

Ishte pikërisht në këtë letër që kryeministri theksoi se do të vazhdojë të punojë për 18 orë radhazi për rikthimin e së djathtës në pushtet.

Duke marrë fjalën në studio, një prej figurave më të spikatura të politikës, aleat i koalicionit fitues në zgjedhjet e fundit, Ngjela analizoi: “Askush nuk e ka pranuar që ai ka dhënë dorëheqjen “de facto”. Nëse ka një korpus politik që i intereson që Berisha të qëndrojë në detyrën e tij partiake është mazhoranca, pasi e djathta me të nuk mund të ngrejë kurrë kokën. Ai duhet të dijë të lexojë votën e populit. Dy ditë pas humbjes tha që fitoi e majta për shkak të premtimeve të parealizueshme që kishte bërë, por njerëzit votuan kundër dështimeve të tij dhe jo për programin tonë. Ai nuk ka ditur të bëjë asgjë, veç rrugë që nuk dihet sa është borxhi i tyre dhe në tetë vjet krijoi vetëm konflikte, uzurpime të institucioneve, nuk la asnjë ministër të kishte zërin e tij, nuk delegoi asnjë kompetencë dhe mbi të gjitha krijoi frikën. Unë kam qenë në momentet pas rezultateve në shumë qytete dhe njerëzit ndihen të çliruar nga një zgjedhë”.

Zëvendësministrja e integrimit, Grida Duma, i bën një lexim krejtësisht të ndryshëm situatës. “Supozimi i Ngjelës se kryeministri nuk po e lexon rezultatin është një absurd i madh, pasi rezultati është i tillë që s’të lë vend për subjektivizëm. Është një rezultar që duhet pranuar si një humbje që kërkon një reflektim të madh dhe që kemi pasur një reflektim të madh, e shikojmë nga shpejtësia me të cilën zoti Berisha deklaroi e pranoi humbjen qetësisht, por nga ana tjetër deklaroi edhe heqjen dorë nga kryetari i PD-së, ndaj pati një reflektim të menjëhershëm e një pranim të humbjes së menjëhershme”.

“Nga ana tjetër, lidershipi i Berishës ka qenë ndër më influencuesit, ndër më të fortët dhe vendimarrësit në historinë e PD dhe Shqipërisë. Në këtë kuptim, po lexohet humbja, edhe pse në çdo moment kur lexohej vullneti i popullit nuk po e prisnim atë dimension të thellë të saj, por leximi i rezultatit dhe reflektimi po vazhdon i thellë. Unë kam përshtypjen që në këtë moment nuk po përballemi me votuesin shqiptar, jo sepse nuk e respektojmë, por me konsumin në politikë dhe shqiptarët i kanë dhënë jo edhe Berishës edhe Rilindjes. Edhe opozita nuk arriti të fitonte pikët si një opozitë, PS ka mbetur tek besimtarët e vet e ajo që ne quajmë zona gri nuk u frymëzua nga demagogjia e Rilindjes… Bilanci? Unë besoj se zoti Berisha, në momentin që mori të gjithë përgjegjësinë, e bëri më shumë në emër të kohezionit të PD, por nga ana tjetër, në logjikën time, përgjegjësia nuk është vetëm e tij. Përsa i përket fituesve, populli nuk ka votuar Rilindjen, kjo është një votë që i drejtohet një force politike praktike dhe pragmatiste, e fituese e vërtetë e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Socialiste për Integrim”.

Një ish-antar i Partisë Demokratike, në rolin e analistit dhe përfaqësuesit të FRD-së, Krasniqi komentoi: “Në atë status Berisha ka dashur të përcjellë një mesazh, i cili më duket i qartë. Ky është teksi klasik në kuptimin që përmend arritjet dhe angazhimet e tij politike”.

Sipas tij, ndonëse rezultati është i qartë për të gjithë, ende nuk ka një lexim të plotë të situatës nga kryeministri në largim. “Unë mendoj që një milionë shqiptarë kanë folur shumë qartë dhe palët nuk e kanë kuptuar mirë çka ndodhur. Zoti Berisha paraqiti dorëheqje dhe unë mendoj se ndodhi për shkak të distancës së thellë, pasi besoj që po të ishte e ngushtë s’do të kishim këtë deklaratë. Në bazë të statusit PD, kur kryetari PD jep dorëheqje, sekretari merr në dorë partinë deri në zgjedhjen e liderit të ri. Kjo nuk ka ndodhur dhe tregon qartësisht se PD vazhdon të jetë e influencuar tërësisht nga Berisha”.

Në vlerësimin e Krasniqit, ndryshimet brenda Partisë Demokratike në këto vite kanë qenë të thella, drejt një rënie të vazhdueshme të influencës dhe cilësisë së saj. “PD nuk është më partia e 2005 kur pati shpresë, frymëzim dhe akte publike, diçka që eci mirë dy vitet e para. Pastaj filloi të imitojë modelin e Nanos në pushtet, që edhe në mënyrë personale më ka thënë (Berisha) që i dukej interesant dhe prej gjashtë vitesh në PD nuk votohet më. Nëse marrim listën e deputetëve, nuk ishte listë e kalkuluar për humbje, por për fitore, për të marrë deputetë majtas. PD ka humbur intelektualët, pronarët, të përndjekurit, studentët dhe studentët e ardhur nga jashtë pasi përdori metodën e përdorimit të administratës e kjo nuk rezultoi e suksesshme. Në 2009-n, kur nuk kishte vota, mori çdo lloj vendimi për të mbajtur në pushtet veten e kjo solli kosto të mëdha për PD. PD-LSI krijuan një sistem të korruptuar dhe vota masive nuk është programi i PS, as premtimet, por votë kundër arrogancës”, theksoi Krasniqi.

Sipas analistit të “MAPO”-s, zotit Lela: “Goditja e të rrëzuarit është shndërruar në një modë këto ditë. Leximi votës nga Berisha ka dy momente të kundërta nga ato që përmendi avokati, është 1994-ta dhe 2013. Në 94’ i bëri një lexim tepër të qartë votës, kur ka qenë në një maxhorancë aq e fortë dhe fitimare sa mund të bënte çtë donte, përzgjodhi referendumin për kushtetutën dhe të bënte leximin e duhur, kur tha që sovrani foli. E ka bërë këtë akt edhe në 2013, mesa duket i mundur, jo me atë pushtet dhe në të dy situata të ndryshme ka bërë të njëjtin lexim”.

“Sipas pritshmërive tuaja dhe të majtës pritej që ai të mos e pranonte rezultatin, ndaj edhe mund të mos e pranonte duke parë atë që ju keni thënë”, shtoi Lela. “Sa i takon atyre që ka bërë Berisha, citoj “The Economist”, ku përmenden dy gjëra shumë të rëndësishme, ku Tim Judah thotë se infrastruktura është bërë dhe që në ndryshim me vende të rajonit nuk ramë në recesion. Unë këto i mendoj suksese të mëdha përballë dështimeve mesatare apo të vogla, edhe pse sipas jush kanë qenë shumë të mëdha. Berisha ka thënë vetë që historia do të bëjë të sajën dhe do ta gjykojmë me kalimin e kohës”.

“Të gjitha diktaturat kanë bërë punime gjigante, këtu flitet për liri. Shqiptarët e goditën si uzurpatorë të lirisë syre, këto të tjerat i përkasin statistikave dhe nuk i atakoj”, replika e Ngjelës në fundin e pjesës së parë.

Profili i ri i Partisë Demokratike

Për Afrim Krasniqin duhet lexuar mirë rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe shkaqet që cuan në humbjen e Partisë Demokratike për të parë se cfarë nuk funksionoi në mënyrë që lidershipi i ri që do pasojë të korigjohet. Krasniqi tha se vota e 23 qershorit ishte votë kundër arrogancës.

Afrim Krasniqi: Nga zgjedhjet e kaluar PD ka rënë me 86 mijë vota. Ka një prurje masive për LSI-në. Partitë e djathta tradicionale kanë një rënie drastike, ndërsa një parti tjetër e djathtë mori 30 mijë vota. PD rënien masive të votave e ka në Shkodër me 11 mijë vota dhe ky është problemi kryesor i së djathtës. Vota që ka marrë PD tani është e barabartë me ‘97, ndaj duhet parë cfarë nuk ka funksionuar për të parë në të ardhmen. Vota e 1 mln shqiptarëve ishte votë kundër arrogancës. E djathta sot duhet të marrë vendime që të shohë pasojat pas 4-5 vitesh, vendime afatgjata, nëse lidhet me konjukturat e tanishme nuk do zgjidhë asgjë. Ky është problemi kryesor. E djathta sot ka nevojë për një mbikqyrës, jo të zgjedhë, kush nga ju djelmosha do vijë në zyrë.

Ndërsa për Alfred Lelën PD po mundohet të rindërtojë strukturat drejtuese të saj në bazë të shenjave të marra nga 23 qershori: PD është duke u munduar të rindërtojë grupin drejtues të ri në bazë të shenjave të marra nga zgjedhjet e 23 qershorit. Largimi i Berishës duhet kuptuar si tërheqje e qëndrestarëve, si filozofi. Kjo kërkon një lider të ri që nuk duhet të ketë epitetin e qëndrestarit sepse ekzistojnë dy blloqe në PD, që janë qëndrestarët, ata më të hershmit dhe grupi i ri që ka hyrë në PD në 2005 e këtej dhe disa prej tyre i kanë dhënë ngjyrë, peshë dhe forcë aksionit ideologjik të PD. Lideri duhet të dalë edhe nga një kompromis mes tyre dy rrymave. Kjo nuk është ndonjë gjë e pandodhur dhe e pahasur. Kemi rastin e Tony Blair dhe Gordon Braun dhe patëm laburistët që mbajtën pushtetin për 3 mandate. PD është drejt hapjes, zgjedhja duhet të jetë një pakt dhe nga kjo duhet të dalë lideri.

Ndërsa për zv.ministren e Integrimit PD duhet të zgjedhë mes një tranzicioni të qetë dhe një tranzicioni ringritës: “Ka dy momente për të menduar në këtë akt, e para a i duhet të ketë një tranzicion të qetë dhe kjo do kërkonte profil të njerëzve që janë figura të qeta, si Eduard Selami dhe Astrit Patozi. Por goditja është një krizë që kërkon ringritje dhe këtu logjikohet për një lider që duhet të bëjë bashkë komponetët që i shkojnë të djathtës shqiptare. E djathta shqiptare ka një traditë që nuk ka bërë aktvrasje, nuk është si e majta që ka vrarë Alinë dhe Fatos Nanon e të tjerë. Lideri i ri që duhet të vijë nuk duhet të jetë një anti i historisë së PD-së. Liderat e rinj dhe emrat e rinj, nuk duhet të kenë mungesë të performancës së tyre politike. Janë diskutuar, vijojnë të diskutohen emra si Sokol Olldashi apo Lulzim Basha. Jam i bindur që ka ardhur një moment që edhe programi të mos merret si një letër formale, kemi ardhur në një moment që një anëtar një votë do të ushtrojë duke lënë menjanë influencat për të shkuar drejt këtij lideri. Këto dy figura kanë pikat e forta dhe të dobta. Për mua Basha gëzon votën e popullit dhe ka bërë përfaqësimin e vet politik në Bashkinë e Tiranës, Olldashi ka një sjellje partiake më të hershme, ka betejat e veta dhe ka kaluar uljet dhe ngritjet e veta. Por kemi edhe një problem që është se jo gjithmonë kreditet politike të kaluara mbeten të rëndësishme në ato që bën të ndershme, duhet parë se c’vizion ka lideri për të ardhmen. Ka shumë diskutime për t’u bërë dhe për t’u thënë. Lideri nuk duhet të jetë përjashtimor në asnjë mënyrë.

Për Ngjelën ndryshimet e paralajmëruar në PD, për momentin nuk sjellin ndryshime: “Nuk kam asgjë për të thënë. Janë në rrugë të gabuar. Janë po ata që kanë qenë. Hapja do t’i shkatërrojë. Rritja e spektrit të lirisë do t’i shkatërrojë, rritja e spektrit të lirisë që do sjellim ne do t’i shkatërrojë”.

Kush do qeverisë Meta apo Rama?

Partia Socialiste festoi 22-vjetorin e saj dhe fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit. Megjithatë, rezultati i dalë nga këto zgjedhje kushtozon një qeverisje të domosdoshme PS-LSI për të patur numrat e mazhorancës. Por kush do qeverisë, Rama apo Meta?

Për kreun e PLD-së, Spartak Ngjela qeverisja do të jetë e përbashkët dhe e ndërsa, njëra forcë ekzekutivin dhe tjetra parlamentin: “Rama dhe Meta kanë ardhur në pushtet të dy dhe si mendoni ju që Meta do sharrojë degën ku po qendron edhe vetë? E majta ka qenë e përçarë, e vetmja gjë që bëri Meta dhe Rama është që e menduan këtë. Dy herë që ka ardhur Berisha në pushtet ka ardhur si pasojë e ndarjes së të majtës, ndaj ata menduan. Mendoj që këtej e tutje e majta nuk do jetë me e përcarë dhe kjo është një zgjidhje politike. Kjo që ndodhi do të emancipojë të dyja partitë, edhe të majtën, pra ps edhe të djathtën pd.  Qeverisja është ndarë njëri ka marrë parlamentin tjetri ka marrë ekzekutivin dhe që të dy kanë rënë dakort që mandati i ministrit nuk mund të jetë me mandatin e deputetti, të dyja këto janë në spektrit e clirimit të politikës shqiptare. Kjo vazhdon edhe sot kur Sali Berisha të nxjerrë një kukull. Por sot është në dorë të Ramës dhe Metës që të rritet hapësira. A do ta bëjnë? Unë mendoj se po.

Alfred Lela deklaroi se e majta, Rama dhe Meta do të qeverisin pa konflikt me njëri-tjetrin, ndërsa zv.ministrja e Integrimit, Grida Duma tha se ekzistojnë premisat për konflikt në gjirin e së majtës sepse, sic tha ai, zgjedhjet i ka fituar koalicioni asnjëra prej partive.

Analisti Krasniqi tha se është e nevojshme të kryhen reforma thelbësore ku të përfshihet e gjithë klasa politike. Ai shtoi nevojën që mazhoranca e fuqishme e së majtës të mos përjashtojë opozitën e ardhshme, edhe pse e vogël.

Spartak Ngjela tha se 84 mandatet i mundësojnë kësaj mazhorancë për të ndërmarrë reformat dhe ligjet e nevojshme për institucionet. “Unë i kam thënë zotit Rama që nëse fitonim 71-74 mandate ta conim vendin në zgjedhje brenda katër muajsh, për të patur votat e nevojshme për reforma. Nëse këto reforma nuk bëhen, unë sigurisht që do të dal kundër”, tha Ngjela.

Top Channel