
Nico Rosberg është fituesi i garës për Cmimin e Madh të Britanisë në Silverston, garë që ofroi emocione e adrenalinë, edhe pse në xhirot e para u karakterizua nga disa incidente të njëpasnjëshme ku protagoniste u bënë gomat “Pirelli” me shpërbërjen e tyre që mbetet për t’u sqaruar.
Rosberg nisi garën pas Hamilton dhe para Vettel. Por në start piloti gjerman i Red Bull fitoi një pozicion duke u vendosur menjëherë pas Hamilton. Piloti britanik nisi të fitojë terren në krye të garës, por kjo deri në xhiron e 8-të, kur i plas goma e pasme në anën e majtë. Hamilton menaxhon futjen në bokse, por dalje prej tyre do ta çonte të fundit në rënditje, ndërsa gara kryesohej nga Vettel.
Dy xhiro më vonë, të njëjtin fat si Hamilton pati edhe piloti i Ferrarit, Felipe Massa. Në xhiron e 14 është radha e gomës së majtë të një Toro Rosso për t’u shpërbërë frikshëm në mes të pistës. Kjo coi në vendimin për të futur në pistë makinën e sigurisë, nga ku “zerohen” distancat mes Vettel, që kishte nisur shkëputjen dhe ndjekësve të tij.
Piloti gjerman kryesoi garën deri në xhiron e 41, kur makina e tradhëtoi për shkak të një avarie teknike. Nga kjo përfiton Rosberg që merr kryesimin dhe e ruan atë deri në fund duke lënë pas Mark Webber me Red Bull dhe Fernando Alonso me Ferrari.
Spanjolli siguroi një vend në podium dhe pikë mjaft të vlefshme në luftën për titullin kampion për pilotë. Ndërkohë, Hamilton megjithëse kishte fatin kundër, mundi të sigurojë vendin e katërt në rënditje.
Pas kësaj gare, rënditja për pilotë vazhdon të mbahet nga Vettel me 132 pikë, ndjekur nga Alonso me 111 dhe Raikonen me Lotus me 98 pikë. Për skuadra Red Bull kryeson me 219 pikë, ndjek Mercedes me 171 pikë dhe Ferrari me 168 pikë.
Formula 1 rikthehet në Top Channel javën e ardhshme me garën për Cmimin e Madh të Gjermanisë.
Top Channel