Sërish pensione minoritarëve?!

09/06/2013 16:40

Qeveria greke po përgatitet të shqyrtojë rivendosjen e pensioneve të rreth 31000 minoritarëve nga Shqipëria dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Lajmin e bën publik gazeta “Kathimerini” e cila nënvizon se kjo lëvizje e Athinës zyrtare që mbështetet nga vetë kryeministri Samaras, por edhe nga liderët e dy partive të koalicionit qeveritar, kryesocialistit Evangjelos Venizellos dhe kreut të së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis, realizohet pasi janë vënë re pasojat sociale që ka shkaktuar ndërprerja e tyre prej 1 marsit të këtij viti.

Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga vetë ministri i Punës dhe i Sigurimeve Sociale gjatë një interviste në stacionin televiziv SKAI. Disa muaj më parë, me synim kursimin e rreth 166 milionë eurove deri në vitin 2015 nga fondi i pensioneve të Institutit Agrar OGA, një projektligj i ri u kërkonte minoritarëve mbi 65 vjeç nga këto vende që të plotësonin tre kritere bazë për të marrë pensionin: të banonin në mënyrë të përhershme në Greqi, të kishin mbi 20 vjet qëndrim dhe të mos merrnin pension nga një shtet tjetër.

Në këtë mënyrë u ndërprenë plotësisht pensionet e 14500 minoritarëve nga Shqipëria dhe të mbi 60% të atyre që vinin nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe u përfituan 130 milionë euro brenda këtij viti, fakt që krijoi një mundësi të re ekonomike për rivendosjen e tyre. Në ligjin e ri që po përgatit qeveria greke pritet të ndryshojë kriteri i qëndrimit në Greqi nga 20 në 10 vjet, si dhe të kompensohet pensioni që marrin nga shteti prej të cilit vijnë. Për shembull, për minoritarët në Shqipëri pensioni që shkon nga 70 deri në 120 euro, do të plotësohet deri në shumën prej 345 eurosh me pensonin në Greqi.

Sipas “Kathimerini”, në gjirin e minoritet grek në Shqipëri ka pasur një masë pakënaqësie për ndërprerjen e pensioneve të minoritarëve të moshuar, pasi ato konsideroheshin një e ardhur tepër jetike jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre në të dy shtetet. Ndërkohë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar se kur do të çohet ky amendament në parlamentin grek për miratim.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA