Në rrethet femërore, fjala shopping është sinonim i kënaqësisë së blerjeve dhe argëtim kryesor i zonjave dhe zonjushave.

Kryesisht femrave i ndodh që kur kalojnë në bulevard e kthejnë gjithmonë kokën pas, duke kundruar nga larg një veshje që e kapi cepi i syrit, pa e menduar dy herë fillojnë llogaritë, mund ta blej këtë muaj apo do më duhet të kursej për muajin tjetër.

Valentina Taipi është një nga zonjat që i kushton kujdes jo vetëm pamjes së brendshme, por edhe pamjes së jashtme. Për të ndërthurja e karakterit me imazhin është një nga pikat më të forta të çdo femre.

Në momentin e parë kur blejmë një veshje apo një aksesor na pëlqen shumë, megjithatë nuk janë të pakta rastet kur gjërave që blejmë, nuk iu heqim as etiketën.

“Gjithmonë duhen veshje të tjera në çdo çast, për t’i dalë përpara një emergjence, një rasti. Mund të vijë një dasmë a një festë, e nuk të duhet të dalësh të blesh, kur i ke në dollap. Unë vazhdoj i fus aty, pastaj nuk shqetësohem shumë se sa herë i nxjerr, ndihem e qetë që i kam”, thotë zonja Taipi.

Dëshira për të bërë blerje dhe për të rinovuar garderobën na shoqëron në cdo hap, por ja cilat janë disa nga arsyet që Valentina ka në dollapin e saj veshje të pa përdorura asnjëherë.

“Për momentin duken praktike, por ka shumë shkëlqim dhe aksesorë për jetën e përditshme ose të rrëmben rutina dhe harron në kujtesën tënde që e ke edhe këtë rrobë”, thotë Taipi.

Disa prej rrobave ende nuk i ka ardhur momenti për t’u veshur, gjithsesi mendon se shumë shpejt do t’ju vijë edhe atyre radha të dalin nga gjumi letargjik.

Ka stilin e saj të të veshurit dhe di të dallojë se cila është veshja e përshtatshme në vendin e duhur. Thotë se ndonjëherë pret edhe ofertat për të marrë veshjen e preferuar me një çmim të aryseshëm, por ajo nuk mendon vetëm për vete.

“Kemi disa rroba që nuk i përdorim më dhe do t’i çojmë tek dyqani që i çon të ardhurat në favor të qëndrave të grave të dhunuara”, thotë Valentina.

Me këtë gjest ajo jo vetëm dhuron diçka, por i vjen në ndihmë një tjetër femre që është në nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA