Në vijim të turit europian për të fituar mbështetjen e partenerëve
ndërkombëtarë për qeverisjen e pas 23 Qershorit Edi Rama ishte i ftuar
në Parlamentin Europian nga grupi socialist dhe demokrat.

Kryetari i PS-së përpara eurodeputeteve foli për programin qeverisës që kanë të majtët shqiptarë, duke e vënë  theksin te një pikë e rëndësishme e programit për një Rilindje Shqiptare, ribashkimin me Europën. Rama deklaroi se angazhimi qeverisë socialiste është marrja e statusit dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim  brenda vitit të parë të mandatit të parë qeverisës. 

Kultura e pandëshkueshmërisë ishte një tjetër çështje, për të cilën Edi Rama u angazhua për një vullnet të hekurt në zbatimin e ligjit, që nis nga kabineti qeverisës, perfshi hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, si dhe sqaroi planin e PS-se për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

Duke iu referuar situates politike ne vend, Rama u kerkoi rreth 200 eurodeputetëve që të jenë të vëmendshëm ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri. “Sigurisht zgjedhjet në Shqipëri mbeten një problem shumë i madh sepse s’janë të sigurta, sepse kanë qenë të manipuluara”, tha Rama.

Edi Rama, në këtë seancë te posaçme të zhvilluar në Parlamentin Europian, shprehu bindjen se e majta do t’i fitojë zgjedhjet, duke renditur një prej arsyeve dhe bashkimin e së majtës, si faktor që konsolidon fort fitoren e qëndrueshme të socialistëve dhe progresistëve në 23 qershor.

“Ne do ia dalim për disa arsye shumë të dukshme. Së pari, këtë herë jemi të gjithë të bashkuar dhe ndarja e së majtës, që ka qenë më parë element shumë favorizues për Berishën dhe partinë e tij, nuk ekziston këtë herë”, tha Rama.

Në fund të seancës ne emër të grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, presidenti i ketij grupimi Hanes Svoboda uroi kryetarin socialist Edi Rama per fitoren e zgjedhjeve, duke iu drejtuar Rames me këto fjalë: “Ne viziten tjeter ju presim si Kryeministër”.

Top Channel