Alonso: Optimist për garën e Monakos

14/05/2013 00:00

Fitorja e Fernando Alonso në Montmelo nuk vleu vetëm 25 pikë. Tani,
spanjolli i “Ferrari” konsiderohet favorit për të fituar titullin e
Botërorit 2013.

Tani, gjithçka do të varet nga gara në Montekarlo, e njohur për kthesat e saj. Protagonisti shprehet optimist.

“Nëse gjithçka shkon mirë mund të synojmë për botërorin, por ajo që duhet të bëjmë është të përqendrohemi në Monako. “Mercedes” siguroi polin në tre garat e fundit, kësaj i shtohet edhe poli i vitit të kaluar me Michael Schumacher, kështu që do të jetë një surprizë e vërtetë nëse ata nuk do të dalin të parët në Monako”, ka komentuar Alonso.

Megjithatë, për shkak të karakteristikave të cirkuitit, gjërat për “Mercedes” do të jenë më të komplikuara.

Deri tani janë tre pilotët që udhëheqin klasifikimin botëror dhe që janë pretendentët kryesorë për titull: Vettel me 89 pikë, Raikkonen me 85 dhe Alonso me 72. Por ka nga ata që finlandezin e shohin si një pilot me më pak peshë krahasuar me dy të tjerët.

“Që ai është një pilot i mirë, kjo është e qartë. Por nuk mund të pretendojë për botëror. “Lotus” nuk ka potencialin ekonomik që të garojë me “Red Bull” dhe “Ferrari””, deklaron ish-piloti austriak Gerhard Berger.

Top Channel