Në një lëvizje surprizë, Izraeli miratoi këtë të enjte ndërtimin e 300 shtëpive të reja për kolonët hebrenj në Beit El, pjesë e territorit të pushtuar palestinez në Bregun Perëndimor.
Vendimi u konsiderua si i befasishëm pasi vetëm dy ditë më parë, mediat ndërkombëtare raportuan një urdhër joformal të kryeministrit Benjamin Netanyahu, që kërkonte ndërprerjen e të gjithë punimeve për ngritjen e vendbanimeve të reja, për të favorizuar kështu rinisjen e bisedimeve të paqes me autoritetet palestineze.
Çështja e vendbanimeve është ajo që mban të ngrirë bisedimet midis dy palëve që prej vitit 2010 dhe urdhëri i ri i Tel Avivit pritet të godasë rëndë shpresat për një vendosje të afërt të paqes në konfliktin më të zgjatur në Lindjen e Mesme.
Njëkohësisht, vendimi i Izraelit përbën një goditje të rëndësishme për shpresat e Uashingtonit, që po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje të pranueshme për palët.
Vendbanimet e ngritura në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor konsiderohen të paligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar, por Tel Avivi nuk e pranon këtë ligj.
Territoret palestineze në fjalë mbeten pjesë e Izraelit që prej vitit 1967, kur shteti hebre fitoi një luftë 6-ditore, e cila iu imponua nga një koalicion vendesh arabe.
Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në vendbanimet e ngritura ndër vite në territoret e pushtuara, të cilat Palestina i pretendon si pjesë të shtetit të saj, të njohur formalisht nga shumica e vendeve të botës, përfshi Shqipëria, por ende jo nga OKB.
Top Channel