Testamenti i sotshëm modern i ka rrënjët në të drejtën romake, rreth shekullit të tretë para erës sonë. Në traditën kristiane, shumë studiues i referohen testamentit të Noes apo dhe Dhiatës së Vjetër, ku Jakobi i lë trashëgim të birit, Jozefit, një pjesë të pasurisë së tij që është dyfish më e madhe se e vëllezërve të tij.

Ndërkohë, praktika e testamentit në Greqinë e Lashtë nuk ishte njësoj në të gjitha vendet. Disa shtete lejonin meshkujt të trashëgonin pasurinë e tyre, të tjerë i privonin ata nga ky privilegj.

Sipas Plutarkut, historian grek, Soloni ligjvënës dhe poet i njohur në qytet-shtetin e Athinës, duhet të përgëzohet për legjislacionin që krijoi për testamentet. Para kohës së tij grekët nuk ishin të lejuar të linin testament dhe automatikisht pasuria u takonte familjarëve, ndërkohë që ai lejoi që çdo njeri t’ia dhuronte atij që kishte dëshirë, por me disa kufizime. Për shembull ata që mund të linin testament ishin qytetarët të Athinës dhe jo skllevër apo të huaj, pasuria e të cilëve pas vdekjes do tu konfiskohej për përdorim publik.

Ata që mund të linin testament duhet të ishin të paktën 20 vjeç dhe të aftë mendërisht. Nuk duhet të ishin të adoptuar dhe mund t’ia linin dikujt tjetër pasurinë vetëm nëse nuk kishin fëmijë mashkull. Nëse kishin vetëm vajza, personit që i dhuronte pasurinë ishte i detyruar të martohej me të.
 
Testamentet zakonisht firmoseshin para shumë dëshmitarëve.

Në kohën e Justinianit, një testament bazohej pjesërisht në të drejtën civile, pjesërisht në dekretin e pretorit, pjesërisht në kushtetutën perandorake. Pikat kryesore të vlefshmërisë së tij ishin që ai që linte testamentin të ishte mendërisht i aftë dhe se testamenti i tij do të firmosej ose të bëhej i njohur në prezencë të 7 dëshmitarëve ose të publikohej gojarisht në gjyq të hapur.

Nuk mund të tjetërsohej e gjithë prona e lëshuesit të testamentit. Të drejtat e trashëgimtarëve dhe pasaardhësve mbroheshin nga dekrete të cilat u siguronin atyre një minimium ligjor. Mosha kur mund të lëshohej testamenti ishte 14 vjeç në rastin e meshkujve dhe 12 në rastin e femrave.
 
Në Shqipëri, gjatë pushtimit osman, ligji i sulltanit përcaktonte se trashëgimia mund të rregullohej sipas besimit të njeriut. Më pas, e drejta zakonore ka qenë mbizotëruese. Kanuni i Lekë Dukagjinit përcaktonte se si ndahej pasuria dhe sipas të drejtës zakonore, gruaja nuk dispononte pasuri. Në kohën e Zogut, testamenti ishte deri diku një vullnet i kufizuar pasi u jepej shumë hapësirë familjarëve. Ndërsa në kohën e regjimit komunist, pronat ishin shumë të pakta, megjithatë legjislacioni garantonte të gjitha të drejtat për të lënë testament.

Në botë, testamenti është mbizotërues në lënien e trashëgimisë. Shtetet e Bashkuara e kanë më të pakufizuar këtë vullnet sesa shtetet evropiane. Në Amerikë, shtete të ndryshme kanë ligje të ndryshme. Disa prej tyre lejojnë liri të plotë, ndërsa të tjerë i garantojnë bashkëshortit apo bashkëshortes të drejtën për të trashëguar gjysmën e pasurisë, pavarësisht se ç’thotë testamenti.

Ndërkohë që në Itali dhe Francë ekziston rezerva ligjore që përcakton kornizën se kujt mund t’i lihet testamenti.

Testamenti më i gjatë i njohur deri më tani është ai i një anglezeje prej 1.100 faqe për një pasuri prej 100 milionë dollarësh. Ndërsa më i shkurtri është i një gruaje nga India që shkruante “të gjitha djalit” dhe një gjermani “gjithçka gruas”.

Problemet me testamentet

Trashëgimia jo rrallëherë kthehet në një mollë sherri dhe për familje që ndoshta deri në momentin që ka qenë gjallë trashëgimtari kanë qenë solide. Bashkim Sulstarova, avokat prej më shumë se 20 vitesh, tregon se shpeshherë në këto procese ka parë degradimin e marrëdhënieve familjare.

“Sa janë fëmijët e vegjël, nuk ka konflikt. Ai fillon me rritjen e fëmijëve dhe ndarjen e trashëgimisë. Ndonjëherë nëna i lë më shumë pjesë atij që e ka mbajtur, ndërsa fëmija tjetër pretendon pjesën e tij. Ana ligjore i trajton të gjithë trashëgimtarët e barabartë dhe kështu nis konflikti dhe cënohet marrëdhënia mes vëllezërve dhe motrave.”

Në gjykatë, paditë për dëshmitë e trashëgimisë janë të shumta. Shumë prej familjarëve nuk arrijnë mirëkuptimin me njëri-tjetrin dhe drejtohen në gjykatë për të ndarë atë çfarë u kanë lënë prindërit me apo pa testament: “Një rast që më ka mbetur në mendje është kur djali e përzuri nga shtëpia nënën pas vdekjes së të atit duke i thënë që ajo shtëpi ishte e tija. Vetëm me një vendim të Gjykatës së Apelit u bë e mundur që gruaja 70-vjeçare të kthehej në shtëpi.”

Ndërkohë që trashëgimia ligjore e ka më të përcaktuar ndarjen, ajo testamentare lë hapësira për konflikte. Mirela Roshi, avokate prej shumë vitesh, tregon një rast kur një emigranti që ia kishte lënë pasurinë i ati me testament, i duhej ta ndante vullnetin e të atit me nipërit e mbesat pasi kështu e parashikon ligji.

Ndërkohë, rastet e konflikteve mes motrave dhe vëllezërve janë të shumta edhe pse ligji është i qartë se fëmijët janë të barabartë: “Meshkujt thonë që banesa nuk duhet ndarë meqë motrat janë martuar dhe jetojnë në shtëpinë e bashkëshortit.”

Mungesa e kulturës juridike është gjithashtu një handikap që i çon familjarët drejt konfliktit. Avokati thotë se çdokush që do i drejtohet gykatës duhet të bëjë të paktën një konsultë me specialistin: “Para se të shkosh në gjyq, çështja duhet “pleqëruar” njëherë. Duhet përcaktuar pozicioni i tyre në pasuri e më pas të zgjidhet sepse praktikisht këto çështje fillojnë mbrapsht.”

Testamentet e çuditshme

Bota e modës u trondit kur stilisti i njohur Alexander McQueen vrau veten, por akoma më shumë u shokua kur doli që ai u kishte lënë më shumë se 75 mijë dollarë qenve të tij. Por, McQueen nuk është i vetmi yll që ka bërë këtë dhuratë të pazakontë. Majkell Xhekson, Merlin Monroe dhe shume të tjerë kanë lënë amanete të çuditshme.

Oprah Winfrey

Oprah është një nga gratë më të pasura në botë dhe ajo e ka deklaruar se çfarë do bëhet me pasurinë e saj kur të largohet nga jeta. Oprah e ka përsëritur shpesh se ajo do u lërë kafshëve të saj shtëpiake 30 milionë dollare me dëshirën e saj, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për bamirësi.

Marilyn Monroe

Marilyn Monroe i la amanet të gjithë veshjet e saj, të brendshmet dhe gjërat personale regjisorit Li Strasberg me kërkesën që t’ia shpërndante mikeshave të saj dhe familjes. Në të vërtetë, Strasberg nuk e çoi në vend kërkesën e saj, duke i ruajtur ato për një kohë të gjatë dhe më pas ia la trashëgim bashkëshortes së tij e cila i shiti në 1999-ën për një vlerë mbi 14 milionë dollarë.

Leona Hemsley

Alexander McQueen nuk është i vetmi që ia la pasurinë qenve. Biznesmenia e famshme, Leona Hemsley, la një fond prej 12 milionë dollarësh për qenin e saj kur vdiq në 2007-ën. Dy nipër të biznesmenes, të cilët ishin përjashtuar nga testamenti, kundërshtuan dokumentin dhe si përfundim qeni mbeti me 2 milionë dollarë.

Michael Jackson

Mbreti i Popit mendoi se ishte në prag të falimentimit kur vdiq në 2009-ën, por nga testamenti i tij doli se ai kishte një pasuri prej 235 milionë dollarësh. Pjesën më të madhe të parave të tij, ai ia kishte lënë 3 fëmijëve, por gjithashtu dhe e ëma merr një shumë mujore prej 26 mijë dollarësh, duke përfshirë gjithashtu 1 mijë dollarë në muaj për shpenzime të dorës së dytë.

Charles Dickens

“Ata që do vijnë në funeralin tim, nuk dua të jenë të veshur me shall, mantel, papion të zi, kapele të gjera ose gjëra të tilla të pakuptimta”. Gjatë gjithë jetës së tij urrente të “krekosurit” dhe pëlqente të thjeshtët. Në funeralin e shkrimtarit të madh, i cili mori përmasa kombëtare, asnjë nga të lartpërmendurat nuk u plotësua.

Napoleon Bonaparti

“Të më rruani kokën dhe flokët t’i ndani te miqtë e mi”. Disa dekada pas vdekjes së tij u vërtetua se ajo nuk ishte aspak e rastësishme. Sipas analizave të kryera, në fijet e flokut që ishin dhënë te miqtë e tij u identifikua sasi e madhe arseniku. Flitej se vdekja e Napoleonit rrjedhoi nga helmimi sistematik i mjekut të tij.

Top Channel