Për 1500 konsumatore që janë ankuar për mbifaturim të energjisë elektrike gjatë periudhave të mëparshme, CEZ Shpërndarje do të anulojë pagesat duke fshirë këto fatura.
Pas verifikimeve të bëra, drejtori i shitjeve të CEZ, Ilirjan Shkëmbi thotë se ankesat e këtyre abonentëve janë të drejta, ndërsa po shqyrtohen edhe 700 ankesa të tjera.
“Janë gati 1500 raste që kanë qenë të trajtuara por jo të ekzekutuara, të cilat do t’i ekzekutojmë ne me një vendim të marrë, pasi këto ankesa janë të drejta. Ndërkohë që janë edhe 700 ankesa të tjera që po rishqyrtohen pasi ka ndryshuar situata”, ka thënë Shkëmbi.
Drejtori i shitjeve pranë CEZ Shpërndarje sqaroi se për çdo rast të ankesave të qytetarëve do të merren masa deri në largimin nga puna të faturistëve.
Përveç rasteve të depozitimit të ankesave pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit, CEZ Shpërndarje prezanton për herë të parë edhe ankimimin elektronik, i cili mund të bëhet online në faqen e kompanisë.
Pas plotësimit të formularit në mënyrë elektronike, ai printohet në dy kopje ku abonenti siglon bashkë me specialistin përkatës, ndërsa një kopje e mban ai.
Drejtoresha e marrëdhënies me klientin në departamentin e shitjes, Eni Zaimi u kërkoi qytetarëve që në momentin e verifikimit të jenë prezent dhe të konfirmojnë nëse janë dakord me proçedurën.
Konsumtorët mund të ankohen edhe në numrat e telefonit të shfaqur në faqen e CEZ Shpërndarje, ndërsa afati i fundit i përgjigjes, të cilën mund ta marrë në qendrën e kujdesit ndaj klientit apo online, është 30 ditë pas ankesës.
Top Channel