Ylberi dhe Vjoleta janë ende të rinj në moshë, por jetën ia kanë kushtuar 2 vajzave të tyre të vogla, Xhesikës dhe Xhoanës. Më shumë se kushdo tjetër janë ato që kanë nevojë për përkujdesjen dhe përkushtimin e prindërve që asnjëherë nuk kanë mundur t’i thërrasin: nënë e baba!

“Cdo nënë gëzohet për fëmijën kur lind dhe ka qenë e vështirë kur vajzave i ra sëmundja. Është e tmerrshme të shohësh fëmijën që të dridhet në krahë”, thotë nëna e vajzave.

Janë 24 orë në 24 në shërbimin e tyre dhe në asnjë moment nuk janë gjunjëzuar para sëmundjes së vajzave, përkundrazi kanë luftuar e vazhdojnë të luftojnë për të zbuluar sëmundjen dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

“Doktorët nuk e kanë zbuluar ende se çfarë kanë. Epilepsinë e kanë zbuluar, por jo në çfarë grade. Ne jetojmë më shumë në spital sepse mund t’i dalë sonda dhe duhet të bëjmë 4 orë rrugë deri në Tiranë pastaj.”

I ushqejnë 6 herë në ditë, i lajnë dhëmbët, i ndërrojnë, i japin ilaçin, i flasin e i këndojnë. Jetojnë me shpresën se një ditë vogëlushet e tyre do të munden të ngrihen në këmbë e të jenë normale si të gjithë njerëzit e tjerë.

“Do doja t’i shihja në këmbë, të jenë si të tjerët. Dua të bëj edhe analizat e mia dhe të burrit në mënyrë që të kemi një fëmijë të shëndoshë”, shprehet gruaja.

Jeta e tyre është si një segment i kufizuar mes shtëpisë e spitalit ku të gjithë i ndihmojnë me sa munden. Rruga është gjithmonë e hapur, dimër e verë, kanë jetuar në një shtëpi së bashku me familjarët e tjerë të Ylberit, por murgeshat kanë mbledhur fonde dhe i kanë ndërtuar një shtëpi ku vajzat të jetojnë në kushte më të mira.

Xhesika është 8 vjeç, shtatori i 2012-ës duhej ta kishte gjetur në bankat e shkollës, por mesa duket vendi i saj kishte mbetur bosh, edhe pse babain ia kishin ftuar në ditën e parë të këtij viti shkollor.

“Sivjet më ftuan të shkolla, tek klasa e parë ku do të ishte edhe Xhesika. Kisha djalin e vëllait dhe se si u ndjeva… nuk kisha vajzën time”, thotë babai.
 
Nuk duan ta  pranojnë dhe të dorëzohen para realitetit të hidhur sepse edhe ata duan të kenë fëmijë të shëndetshëm: “Më kanë adresuar tek një spital në Paris dhe një në Londër. Ka mundësi që me trajtimet atje vajzat të ecin.”

Ata nuk kanë mundësi të punojnë apo të dalin si të gjithë njerëzit e tjerë. Edhe natën kujdesen me turne për vajzat, por nuk janë lodhur asnjëherë: “Për fëmijët tonë nuk është sakrificë, do t’i përkushtohemi gjithë jetën.”

Besnik i betimit të martesës

Ata janë dy trupa, një njeri! Ai është krahu i saj i djathtë dhe ajo sheh nëpërmjet syve të tij! Kjo është historia e Besnik dhe Zylfie Laçit.

Prej 10 vitesh Besniku kujdeset për bashkëshorten e tij. Ajo humbi shikimin pak nga pak si pasojë e një sëmundjeje të lindur, por që shfaqet vonë. Trokiti derë më derë e nuk la vend pa kërkuar kurën që do t’i sillte asaj shërimin. Dyshoi në njohuritë e tij prej mësuesi biologjie dhe më në fund dikush i dha një përgjigje.

”Kemi shkuar tek çdo doktor i mundshëm: grek, rus, gjerman… Kudo që dëgjonim, shkonim për vizitë. Një ditë, një doktor më tha: Nëse e do gruan, ilaçi je ti! Që atëherë, iu përkushtova bashkëshortes”, thotë Besniku.

Momentin e parë që e mësoi, Zylfia e përjetoi shumë keq, e megjithatë vitet kanë treguar se mbështetja e bashkëshortit ishte aq e fortë saqë sot ajo jeton si një njeri krejt normal: ”Doja ta mbyllja me aq jetën time kur e mora vesh. Por, falë Besnikut nuk e ndjej fare që jam e verbër.”

I përgatit kafenë e mëngjesit, e ndihmon të vishet, gatuan dhe në asnjë moment nuk qendron dot pa të. Provat që i solli jeta nuk ishin krejt të thjeshta, përkundrazi, ai duhej të kujdesej jo vetëm për vete, por edhe për bashkëshorten, edhe për fëmijët. Ja si është një ditë e tyre e zakonshme: ”Zgjohemi në mëngjes, pimë kafen, bëjmë muhabetet tona dhe bëjmë një xhiro.”

Duket krejt normale në pamje të parë, por i ka humbur shikimi 100%. Thotë se është e lumtur dhe e kënaqur me fëmijët e saj dhe me përkushtimin e bashkëshortit. Megjithatë herë-herë ndjehet pak keq sepse në një farë mënyre njeriut të saj të zemrës i është dashur të bëjë divorcin me shokët e të kalojë çdo minutë pranë saj. Por, mesa duket, zonjës së shtëpisë i ka mbetur peng edhe diçka tjetër: ”Burri më shërben mua, por jo unë atij. Një grip të ketë, unë as çaj nuk i bëj dot. Ndihem shumë keq për këtë.”

Besnikut iu desh t’i kushtohej shoqes së tij të jetës dhe të jepte provat e betimit të martesës. Edhe sot e kësaj dite ai vazhdon t’i qendrojë besnik betimit: ”Do ta duam dhe respektojmë njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, në sëmundje e në gëzim, në pasuri dhe varfëri deri sa vdekja të na ndajë!”

Jonida dhe Plarenta: Suksesin tonë ia dedikojmë gjyshit

Gjyshi dhe gjyshja janë dy nga njerëzit më të afërt e më të dashur për çdo nip e mbesë. Ata na ndjekin në çdo hap e përkujdesen për ne, ndonjëherë edhe më shumë sesa vetë prindërit.

Ziso është gjyshi i Plarentës dhe Jonidës, vajzave me shikim të kufizuar që sot nuk janë më të vogla si dikur. Duke u kthyer pas në kohë, ai kujton ato momente të vështira për të gjithë familjen: “Ka qenë e vështirë. I ushqeja dhe i rrija gjithmonë nga pas sepse donin të lëviznin.”

Ndër vite ka këmbëngulur shumë që vajzat të mos mbeten të pashkolluara, përkundrazi ai ka udhëhequr betejën e dy mbesave të të tij për t’u arsimuar dhe angazhuar në jetën sociale: “Porosia ime si gjysh ishte që të shkonin në shkollën e të verbërve që të merrnin kulturën dhe edukatën e nevojshme.”

Vajzat i kanë ende të freskëta kujtimet e fëmijërisë dhe sot gjyshi Ziso është miku i tyre më i mirë.

“Gjyshi dhe gjyshja pothuajse na zëvendësonin prindërit kur ishim të vogla. E kemi si shok dhe ia dëgjojmë këshillat”, thonë vajzat.

Zonjushat nga Tepelena i kanë kaluar të 20-at. Pavarësisht se sot ato mund të kujdesen për veten, sërish kanë nevojë për dikë dhe këtë mbështetje e kanë gjetur sërish tek heroi i tyre që me përkëdheli i thërrasin Baba: “Kur duhet të regjistrohesha në shkollën e mesme, më hapën probleme. Kur mendova se ngela pa shkollë, vjen gjyshi e më thotë të shkoja në gjimnaz se më kishte regjistruar. Këtë nuk kam për ta harruar kurrë.”

Këmbëngulja dhe vullneti i gjyshit që nuk ka përtuar as t’i gatuajë, as t’ju lexojë e as të shkonte nga njëri institucion në tjetrin për të regjistruar vajzat në shkollë është shpërblyer. Pavarësisht vështirësive, ato kanë mundur ta gjejnë veten në shoqëri dhe  
të jenë studente të një universiteti në Tiranë. Jonida vazhdon studimet e larta për drejtësi, kurse Plarenta për psikologji.

Kanë mundur të ecin në jetë e nuk janë mbyllur brenda guaskës së tyre. Kanë krijuar realitetin e tyre shoqëror dhe intelektual e këtë gjë ia dedikojnë vetëm një njeriu: gjyshit Ziso.

Top Channel