Papa Françesku do të lajë këmbët e të burgosurve, në një qendër paraburgimi për të rinjtë, pranë Romës, gjatë së Enjtes së Shenjtë.
Mijëra pelegrinë dhe turistë kanë mbërritur në Romë, për të qenë të pranishëm në ceremonitë gjatë javës së shenjtë përpara Pashkëve.
Larja e këmbëve, ditën e enjte përpara Pashkëve, është një traditë për të krishterët, që përkujton Darkën e Fundit të Krishtit.
Kjo është pjesë e kalendarit papal të eventeve përpara Pashkëve, që cilësohen si festivali më i rëndësishëm i kalendarit të Kishës Katolike.
Për Pashkë, mëngjesin e së dielës, Papa i ri do të japë mesazhin e tij të parë “Urbi et Orbi”, në qytetin e Romës, por edhe për të gjithë botën.
Gjatë inaugurimit të audiencës së përgjithshme të tij, të mërkurën, Papa Françesku bëri thirrje për një zgjidhje të menjëhershme politike ndaj konfliktit në Republikën e Afrikës Qendrore, pas grushtit të shtetit të fundjavës së kaluar.
Lideri i ri i 1,2 miliardë katolikëve romanë në të gjithë botën, ka sjellë një sens të ri të thjeshtësisë në Vatikan, bëjnë të ditur korrespondentët në Romë.
Ai ka vendosur të jetojë në një suitë të vogël të një rezidence për klerikët, duke ngrënë së bashku me priftërinjtë e tjerë në një dhomë ngrënieje të zakonshme, pasi vendosi të mos zhvendosej në apartamentin papal, si paraardhësit e tij në Pallatin Apostolik.
Ai ka thyer gjithashtu traditën për ceremoninë e larjes së këmbëve, e cila performohej normalisht ndaj njerëzve laikë në një nga bazilikat e Romës. Këtë herë, Papa do të vizitojë qendrën e paraburgimit “Casal del Marmo”, në periferi të Romës.
Papa Benedikti XVI e vizitoi këtë qendër në 2007, por jo për meshën e së Enjtes së Shenjtë. Vetëm në dy vitet e para të papatit të tij, ai e kreu vet këtë ceremoni të larjes së këmbëve, ndërsa më pas ia delegoi priftërinjve.
Gjatë këtij shërbimi, Papa lan dhe puth këmbët e 12 njerëzve, për t’iu përgjigjur numrit të Biblës në lidhje me xhestet e përulësisë së Jezu Krishtit ndaj 12 apostujve të tij, në natën para se të kryqëzohej.
Top Channel