Strehimi i muxhahedinëve iranianë

18/03/2013 23:00

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj retorikave nacionaliste të Sali Berishës ishte i ashpër e pa rezerva, e qëndrimi i përcjellë nëpërmjet ambasadorit Aleksandër Arvizu u konsiderua deri diku si “kërcënim diplomatik”.

Por pas muajsh të tërë ftohjeje me Uashingtonin, kryeministri ka arritur të marrë së fundi edhe një falënderim për gjestin e tij bujar, siç e konsiderojnë zyrtarët e lartë amerikanë ofertën e risistemimit të 210 muxhahedinëve iranianë.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, e përshëndet një veprim të tillë dhe falënderon kreun e qeverisë, për atë që e cilëson “një gjest humanitar në sigurimin e një parajse të sigurt për këta individë”.

Shqipëria ka qenë një partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të sjellë stabilitet e paqe në Irak, thotë Nuland. Muxhahedinët, ish-rezidentë të kampit Ashraf, janë vendosur përkohësisht në kampin Hurriya.

Ne besojmë se një sistemim i përhershëm i tyre jashtë Irakut është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme, shprehet nuland, ndërsa i bën thirrje në emër të administratës amerikane lidershipit të grupit Mujahedeen-e-Khalq, apo MEK, të pranojë menjëherë ofertën e qeverisë shqiptare dhe u kërkon rezidentëve të kampit Hurriya t’i rinisin pjesëmarrjen në intervistimet e risistemimit, në mënyrë që individët të përfitojnë prej mundësive të një azili të sigurt jashtë Irakut.

Udhëheqja e Mek-ut, sipas saj, duhet ta kthejë në prioritet kryesor sigurinë e ish-rezidentëve të Ashrafit, përmes bashkëpunimit të plotë e pa kushte në procesin e risistemimit. Madje ajo kujton se një gjë e tillë është një detyrim, që buron nga memorandumi i mirëkuptimit, i 25 dhjetorit 2011, mes Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Irakut.

Marrëveshja për muxhahedinët mendohet se është diskutuar që në muajin nëntor, gjatë vizitës së ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, në Tiranë, por u bë publike pikërisht në një moment, kur marrëdhëniet e kreut të ekzekutivit me Shtetet e Bashkuara njohën një lloj acarimi.

Nuk dihet megjithatë se sa do të vendosin anëtarët e grupit opozitar iranian, të qëndrojnë në Shqipëri. Raportet e një dite më parë, në mediat ndërkombëtare, përveç irritimit të Iranit ndaj këtij vendimi të qeverisë shqiptare, tregojnë edhe se muxhahedinët nuk do ta pranojnë ofertën, me pretendimin se nuk mund të pranohet azili vetëm për një pjesë të tyre, në një kohë kur, në ish-bazën amerikane jetojnë më shumë se 3.000 anëtarë të këtij grupimi, dikur të konsideruar si terrorist, por të hequr vetëm pak kohë më parë nga lista e zezë e SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA