
Analisti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server, duke komentuar proçesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd, ka deklaruar se Serbia vazhdon të ketë pretendim territorial ndaj Kosovës.
“Kjo për mua e bën marrëveshjen të pamundur. Nuk e imagjinoj dot se si mund të ecet përpara nëse ky pretendim vazhdon të ekzistojë. Serbia nuk hyn dot në BE nëse vazhdon me këtë pretendim”, ka thënë Server për “VOA”.
Ai është shprehur i bindur se, edhe sikur 21 nga 22 vendet e BE që kanë njohur Kosovën të pranojnë të anëtarësojnë Serbinë pa vendosur raporte diplomatike me Prishtinën, Gjermania do ta pengojë një gjë të tillë.
“Beogradi duhet të gjejë një mënyrë që ta njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, duke pretenduar njëkohësisht disa të drejta në bazë të planit Ahtisari. Ai mund ta bëjë këtë duke dërguar një ambasador, ose duke lejuar anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka sugjeruar Server.
Për Server është e papranueshme kërkesa e Beogradit që bashkësia e komunave serbe në veri të Kosovës të ketë kompetenca ekzekutive, përtej asaj që parashikon plani i Marti Ahtisarit.
“Kjo është e papranueshme pasi do ta ndante Kosovën në dy entitete dhe do ta bënte shumë të vështirë kualifikimin e saj për në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Server.
“Duhet të ketë reciprocitet. Nëse Serbia nuk dëshiron polici dhe gjykata kosovare në Preshevë, atëherë nuk e kuptoj përse e kërkon këtë për veriun e Kosovës”, ka vijuar ai.
Server ka thënë më tej se, megjithëse Catherine Ashton po bën përpjekje për një marrëveshje dhe Shtetet e Bashkuara po përdorin ndikimin e tyre ndaj Prishtinës, Kosova, si vend sovran, duhet ta marrë vetë vendimin se çfarë është e pranueshme për të dhe çfarë jo.
Top Channel