“Nuk ka kompromis kur jeta vihet në rrezik”/ Vrasja e gruas në Pejë, Presidentja Pula: Të hetohet nëse institucionet dështuan ta mbronin

26/10/2026 13:17

Presidentja Justina Shiroka Pula ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Ajo u ka bërë thirrje organeve kompetente që të hetojnë jo vetëm përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin detyrimin ligjor ta mbronin.

Në reagimin e saj, Shiroka Pula thekson se duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë së gruas.

“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal”, shprehet presidentja, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve.

Ajo kërkon që institucionet e drejtësisë të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që çdo rrethanë e rastit të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend.

Presidentja Shiroka Pula thekson gjithashtu se asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet shtetërore. Sipas saj, çdo dyshim për dështim në përmbushjen e përgjegjësisë institucionale duhet të marrë një përgjigje të qartë.

Top Channel