Në reagimin zyrtar, diplomacia shqiptare ka vlerësuar edhe rezultatin e Koalicionit Shqiptar në Luginën e Preshevës, ku, sipas projeksioneve paraprake, dy mandate parlamentare janë në perspektivë.
Shqipëria thekson gjithashtu rëndësinë e garantimit të të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe kërkon angazhim konkret të Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Reagimi i plotë:
Shqipëria përgëzon Listën Studentore për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe qytetarët për pjesëmarrjen e gjerë në procesin demokratik. Zhvillimet në Serbi dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik.
Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve. Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë shënuar një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje. Sipas projeksioneve paraprake, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
Ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime. Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore. Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore.
Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen dhe bashkëpunimin në rajon. Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.