Të paktën 50 copa të meteorit u zbuluan të djelën në mbrëmje, në liqenin e ngrirë të Cebarkulit, pranë Celiabinskut në Rusi.
Pikerisht këtu u zbulua një e çarë e madhe në akull, e cila mund të ishte shkaktuar nga një pjesë e meteorit, që ra të premten. Lajmi u mësua nga Viktor Grokhovski i Universitetit të Uraleve, anëtar i Komisionit të Akademisë së Shkencave, që studion meteorët.
Sipas tij, pjesët e gjetura i përkasin kondritëve, siç njihen ndryshe meteorët shkëmborë. “Kemi gjetur thjesht disa copëza – tha Grokhovski – dhe besojmë se blloku qëndror do te jetë në fund të liqenit, me përmasa nga 50-60 cm”.
Copëzat e gjetura deri tani janë secila nga 1 centrimetër. Shkencëtari ka propozuar ta quajë meteorin Cebarkul, si zona ku ai ra. Copëzat e meteorit u dërguan për ekzaminim në Qendrën Studimore të Universitetit të Uraleve në Ekaterinburg.
Kondritët janë meteorët më të zakonshëm, përbëjnë 90% të atyre që bien në planetin tonë. Janë shkëmbinj shumë të lashtë, të formuar në fillimet e sistemit diellor, reth 4.6 miliardë vjet më parë.
Meqë copave të zbuluara iu gjet një përmbatje hekuri prej 10%, mendohet se i përkasin nëngrupit të njohur si kondritet L.
Guvernatori i rajonit të Celiabinskit i ftoi të gjithë udhëheqësit botërorë – të hënën në qytetin e tij – për të diskutuar mënyrat për të mbrojtur njerëzit, ndërsa deputeti Konstantin Tsibko tha se qyteti është i pari në historinë e civilizimit, që i mbijetoi sulmit hapësinor.
Top Channel