
Departamenti i Drejtësisë dhe disa shtete amerikane janë duke diskutuar mbi akuzat ndaj koorporatës Moody-s për mashtrim të investitorëve, sipas burimeve të sigurta, por një lëvizje e tillë pritet të realizohet vetëm pasi një çështje e ngjashme ndaj rivalëve të tyre, Standard & Poor’s, të testohet në gjykatë.
Hetimet ndaj Moody’s janë në fazat fillestare, më së shumti sepse shtetet dhe autoritetet federale i kanë dedikuar vëmendjen kryesisht te çështja ndaj S&P, sipas burimeve, të cilat nuk ishin të autorizuara të flisnin publikisht për këtë temë.
Zëdhënësi i Moody’s, Michael Adler, dhe zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Adora Andy, nuk pranuan të komentonin në lidhje me këtë histori.
Në të kaluarën, Moody’s është mbrojtur nga akuza të ngjashme, përfshi raportin e Kongresit të vitit 2011, që kishte si konkluzion manipulimin e vlerësimittë agjencive kryesore ndaj aksioneve, për të nxitur më shumë bizneset.
Firma, më herët, deklaroi se Moody’s e konsideron cilësinë e vlerësimit dhe integritetin e proçesit vlerësues më se seriozisht. Më tej bëri të ditur se ajo ka aftësi mbrojtjeje në lidhje me ndarjen e aspekteve tregtare dhe analitike të bizneseve të saj.
Departamenti i Drejtësisë ngriti një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër S&P gjatë së hënës, duke e akuzuar atë për një skemë skandaloze mashtrimi ndaj investitorëve, përpara fillimit të krizës financiare, nxitur nga dëshira për të fituar më shumë biznese.
Aksionet e McGraw Hill Cos Inc, që zotëron S&P, kanë rënë më shumë se 25%, që prej publikimit të lajmit. Aksionet e Moody’s kanë rënë rreth 15%, edhe pse nuk është përmendur në ndonjë nga veprimet e kësaj jave.
Top Channel