Kombëtarja gjeorgjiane arriti të dilte fituese nga “Qemal Stafa”, në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
Pavarësisht një fillimi të mirë për tanët, dy gabime në mbrojtje në secilën pjesë rezultuan përcaktuse për fatet e takimit.
Në minutën e 25’, në një dalje të mirë nga krahu prej Agollit, golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, Erjon Bogdani, dërgoi me kokë topin në rrjetë pas një harkimi të bukur në zonë.
Shtatlarti i Sienës mposhti në duelin e tij dy qendërmbrojtësit gjeorgjianë, duke realizuar golin e 18 me fanelën kuqezi.
Në minutat në vijim, përfaqësuesja jonë kontrolloi lojën e u duk pranë një goli të dytë. Megjithatë, gjeorgjianërt realizuan në rastin e parë të vërtetë që patën për shënim, nëpërmjet Vatsadzes.
Pjesa e dytë pati vend për aktivizimin e shumë futbollistëve, midis të cilëve edhe debutuesit Hysa, të riut që luan me Empolin në Serinë B, ndërsa Bulku iu afrua shumë golit dhjetë minuta përpara fundit, me një goditje dënimi, që pas devijimit në mur dhe grushtimit të portierit, u përplas në shtyllë.
Pas këtij rasti, miqtë përfituan nga një kundërzbritje e rrallë të kthyer në gol nga Lobzhanidze, duke ndëshkuar Shqipërinë pikërisht në momentin e saj më të mirë të pjesës së dytë, në një kohë kur loja ishte përqendruar në gjysmëfushën gjeorgjiane.
Për Shqipërinë, kjo është humbja e tetë në të gjitha ndeshjet, eliminatore ose zyrtare, përballë përfaqësues së ish-Republikës Sovjetike. Përballë gjeorgjianëve, në 13 takime, kuqezinjtë kanë fituar tre herë dhe barazuar në dy raste të tjera.
Në 2012-n, Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi, në një tjetër miqësore në të cilën kaluam ne të parët në avantazh, atëherë me shënues sulmuesin e Catanias, Edgar Çanin.
Top Channel