Gripi amerikan, a duhet të trembemi?

29/01/2013 18:10

Është çliruese kur merr vesh se gripi i derrit, i pulave, apo me çfarëdolloj emri tjetër, nuk përbën rrezik për ty, por zhgënjyese të mendosh përjetimin ndërsa ke provuar simptoma të ngjashme të një sëmundjeje që mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Ndërkohë që ke shpuar trupin me vaksina që do të të shpëtonin jetën, por në fakt kane qenë të panevojshme dhe ndoshta edhe me efekte anësore të pakontrolluara.

Gazeta dhe shoqata të ndryshme herë pas here kanë ngritur zërin për epidemi të bujshme gripi që kanë rezultuar false. Ato kanë denoncuar kompanitë farmaceutike të cilat kanë përfituar me miliarda në shitjen e ilaçeve apo vaksinave duke abuzuar me panikun e qytetarëve në mbarë botën.

Rasti më i njohur është ai i 2010-ës, i cili është cilësuar si një nga “skandalet mjekësore të shekullit”. Bëhet fjalë për gripin e derrit, paniku për të cilin jo vetëm që shqetësoi miliona njerëz në gjithë botën, por dhe shkaktoi shpenzime të stërmëdha në buxhetet mjekësore të shumë qeverive të botës.

Gazeta britanike Daily Mail në 2010-ën bëri publike akuzën e Wolfgang Wodarg, kreut të shëndetit të Këshillit të Evropës, i cili akuzonte prodhuesit e ilaçeve dhe vaksinave të gripit të derrit se kishin influencuar në vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të deklaruar një pandemi, pra një epidemi që prek gjithë popullatën.

Sipas tij, kompanitë farmaceutike siguruan përfitime të mëdha, ndërkohë që vende të ndryshme, përfshirë Britaninë e Madhe, shpenzuan buxhete me paratë e taksapaguesve për të vaksinuar miliona njerëz ndaj një sëmundjeje që mund të konsiderohej relativisht e lehtë.

Një rezolutë për të investiguar mbi rolin e këtyre firmave kaloi në Këshillin e Evropës atë vit, pasi qeveria britanike shpenzoi 1 miliardë paund me vaksina gripi që i porositi në kulmin e panikut.  

Në atë kohë, Departamenti i Shëndetit në Britani lajmëroi 65 mijë vdekje, ngriti një website dhe linjë këshillimi të veçantë, pezulloi rregullat normale kështu që vaksinat anti-grip të jepeshin pa recetë dhe lajmëroi autoritetet lokale për një pandemi të madhe. Planifikimet madje shtriheshin deri tek shtretërit e morgut dhe ishin dhënë instruksione se edhe ushtria mund të ndërhynte nëse njerëzit krijonin situata dhune për të siguruar ilaçet.

Por në fakt, vetëm 251 vdekje pati gjithsej dhe më pak se 5 mijë të infektuar. Për këtë arsye gripi i derrit u cilësua si “një nga skandalet mjekësore të shekullit”.

Sipas kreut të Këshillit të Evropës, farat e kësaj frike ishin hedhur që në 2005-ën, kur u lajmërua se virusi vdekjeprurës i gripit të shpendëve mund të pësonte mutacione në një formë humane.

Atmosfera e panikut bëri që shumë qeveri të blinin stoqe të ilaçeve tamiflu dhe të ngrinin kontrata për miliona doza vaksinash. Kështu që prodhuesit e vaksinave ishin të sigurt për përfitime të mëdha pa pasur risqe financiare dhe vetëm prisnin kur OBSH-ja të deklaronte se kishte tashmë pandemi.

Sipas Udarg, kompanitë farmaceutike kanë influencuar shkencëtarë dhe zyrtarë të agjensive të rëndësishme për të alarmuar qeveritë në botë.

Ata i kanë bërë ata të shpenzojnë burime të kujdesit shëndetësor për strategji të panevojshme vaksinimi dhe kanë ekspozuar miliona njerëz të shëndetshëm ndaj risqeve të panjohura të efekteve anësore të vaksinave të testuara.

Gazeta e njohur “The Guardian” në atë kohë botoi një investigim nga Gazeta e Mjekësisë Britanike dhe Byroja e Gazetarisë Investigative që tregonte se udhëzimet e OBSH-së së 2004-ës, ishin autorizuar nga tre shkencëtarë të cilët ishin paguar nga firma të mëdha farmaceutike si Roshe dhe Glakosmithklajn.

Shumë vende i adoptuan udhëzimet e OBSH-së në atë kohë. Por disa të tjera jo. Veçanërisht Polonia e cila nuk pranoi të blinte vaksina dhe antivirale për pandeminë e gripit të derrit.

Origjina e emrit të gripit

Jemi mësuar të dëgjojmë emra të ndryshëm të gripit. Gripi i derrit, i shpendëve, ndërkohë dhe gripi amerikan. Por si përcaktohet në fakt emri i një gripi?

Në tërësi njihen tre tipe të gript: A, B dhe C. Ndërsa emrat janë të ndryshëm në varësi të vendit ku shfaqet, por jo vetëm. Në vitin 1918 i ashtuquajtuari  gripi spanjoll infektoi më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën ku më shumë se 20 milionë humbën jetën. Emrin e mori ngaqë në Spanjë gazetat raportonin vazhdimisht për prekjen nga gripi të mbretit Alfonsi 13 dhe krijuan përshtypjen sikur në Spanjë ishte shfaqja më e rëndë e këtij gripi.

Virusi AH1N1 u shfaq sërish në vitin 2009, por kombinimi i disa aspekteve të gripit të njeriut dhe shpendëve me një lloj gripi të derrit bëri që kjo pandemi të quhej “gripi i derrit’. Kjo edhe për arsyen se ai lloj gripi është më i përhapur tek derrat. Në vitin 1957 u shfaq gripi aziatik. Ai u zbulua në Kinë dhe më pas u përhap në Singapor dhe Hong-Kong. Shtrirja fillimisht në Azi i përcaktoi edhe emrin.
 
Në vitin 1968 u përhap një lloj i ri gripi, i emërtuar gripi i Hong-Kongut. Emri u përcaktua nga vendi i shfaqjes në shtetin e zhvilluar aziatik. Një pandemi e nivelit të dytë që shkaktoi rreth një milion viktima në mbarë botën.

Në vitin 2004 u përhap gripi i shpendëve. Ai i referohet gripit të shkaktuar nga përshtatja e viruseve të shpendëve. Kjo ishte një nga pandemitë më të përhapura në shekullin e 20.

Nga përshtatja e viruseve të tilla emërtohen edhe gripi i qenit, gripi i kalit, por edhe vetë gripi i njeriut.

Gripi i derrit në Shqipëri

Epidemitë gripale duket se po shndërrohen në një industri me shumë fitime për komapnitë farmacuetike. Në vitin 2009, kur mbarë bota u përfshi nga i ashtuquajturi gripi i derrit, gjigandët e barnave u hodhën në sulm kush të prodhojë i pari vaksinën që luftonte virusin AH1N1. Sipas mjekëve, ishte ky virus përgjegjës për gripin e derrit që shkaktoi një numër të madh viktimash në shumë vende të botës.

Në muajin korrik të vitit 2009 u regjistrua personi i parë mbartës i virusit AH1N1 në vendin tonë. Frika për një shtim të numrit të të prekurve dhe mediatizimi i këtij fenomeni global bëri që shteti shqiptar të merrte masa parandaluese. Në deklarimet e para të ish-drejtuesve të Instituit të Shëndetit Publik, u bë me dije se do të vaksionheshin rreth një milion shqiptarë.

Organizata botërore e shëndetësisë dha alarmin se në Shqipëri mund të prekej 60% e popullsisë. Sipas të dhënave që qarkullonin në media, sasia e vaksinës në tregun botëror ishte e pakët dhe shtetet më të pasuara ishin të parat në radhë për ilaçin shërues.

Në kushte të tilla Shqipëria nënshkroi një kontratë ku siguroi menjëherë 10 mijë doza të vaksinës për pjesën më të rrezikuar të popullsisë. Sipas të dhënave të kohës, vaksina u përdor në masën 5%. Në kushtet kur deklarimet për rrezikshmërinë e gripit të derrit vinin në rritje qeveria shqiptare porositit edhe 14 mijë doza të tjera kundër virusit AH1N1. Në total shteti shqiptar harxhoi 250 mijë euro për mijëra doza vaksinash që nuk u përdorën kurrë.

Këto vaksina në një masë të madhe nuk u përdorën madje as nga personeli mjekësor dhe mbetën stok deri sa të asgjesoheshin pas mbarimit të afatit të përdorimit. Shqipëria ishte nga vendet që harxhoi më pak për vaksinën e gripit të derrit.

Situata e tanishme duket se po shkakton një efekt të madh tek popullsia dhe frika për një rikthim të epidemive globale të gripit do të rikthejë në lojë prodhuesit e vaksinave çudibërëse. I ashtuquajturi grip amerikan që u kthye në një epidemi në SHBA duket se ka mbërritur edhe në vendin tonë.

Top Channel