Rama me tregtarët e njësisë 5

03/11/2012 19:45

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi të shtunën takime me tregtarët e vegjël në njësinë numër 5 në kryeqytet. Fillimisht Rama dëgjoi ankesat e bizneseve.

“Janë rritur të gjitha taksat, lekë s’ka dhe kur s’ka punë ne s’paguajmë dot qeranë”, tha pronari i një dyqani të vogël.

“Jemi në rënie komplet, ka një ulje skandaloze. S’ka ku të shkojë më keq se kaq”, u shpreh pronarja e një dyqani veshjesh.

Nga ana e tij, Rama deklaroi sërish se opozita me ardhjen e saj në pushtet do të zerojë taksat për biznesin e vogël, pasi ato janë asfiksuese për këtë kategori.

“Ne do ta heqim taksën për biznesin e ulët pasi në arkën e shtetit ajo është vetëm 0.5 për qind. Plus, janë qindra familje që jetojnë me biznesin e vogël”, deklaroi Rama.

Lideri i opozitës u shpreh më tej se, momenti kritik që po kalon vendi kërkon politika të reja, duke filluar nga ato për taksat.

Një ditë më parë Rama ishte në qytetin bregdetar të Durrësit, prej nga u bëri thirrje të rinjve që të jenë aktivë në politikë në mënyrë që të sjellin ndryshimin e shumëpritur.

Ndërsa së fundmi kreu i PS është takuar edhe me fermerë e bujq, të cilët janë ankuar se në tre vitet e fundit prodhimet e tyre nuk po arrijnë të sjellin fitim, por vetëm humbje.

Edhe në këto raste Rama ka thënë se, PS kur të jetë në qeverisje do të ndërmarrë masa të menjëhershme për uljen e kostove të prodhimit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA