Kushtetuesja rrëzon dënimin e vrasësit të Eva Vishës

02/11/2012 00:00

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dënimin me 20 vite burg të Albenc Agos, i
cili akuzohet për vrasjen e Eva Vishës, nëna e këngëtares Elsa Lila
vite më parë. Sipas Kushtetueses, palët në procese gjyqësore nuk kanë
pasur të njëjtat “armë” në gjykim dhe si rrjedhojë, vendimi i lënë në
fuqi edhe nga Gjykata e Lartë për këtë të pandehur, të rrëzohet dhe të
dërgohet për rigjykim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Ago akuzohet se ka vrarë në vitin 1997 Eva Vishën, ndërsa është dënuar në muajin dhjetor të vitit 2005 në mungesë me 20 vite burg në mungesë. I pandehuri është arrestuar në Itali, në muajin gusht të vitit 2006 dhe prej asaj kohe është në procese gjyqësore.

Kërkesa në Kushtetuese

Albenc Ago i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të tre shkallëve të gjykimit, duke pretenduar se ato janë rrjedhojë e një procesi jo të rregullt ligjor. Ai ka parashtruar disa shkaqe, sipas së cilit gjykatat i kanë mbështetur vendimet e tyre vetëm në hamendje, lidhje e deduksione dhe mbi asnjë provë direkte ose indirekte, që të provojë fajësinë e kërkuesit. Në çdo gjykim, ndër problemet më kryesore është ai i të provuarit të akuzës, proces ky që kërkon një analizë të plotë të të gjitha rrethanave të administruara dhe të verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor. Sipas avokatëve të të pandehurit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është plotësisht i paarsyetuar, ai vetëm përshkruan histori dhe citon emra dëshmitarësh që nuk tregojnë asnjë lloj burimi prove. Ky vendim nuk është rrjedhojë e analizës së provave por është marrë mbi bazë përshkrimi dhe paragjykimi. “Në gjykimin në Apel, kërkuesi u paraqit për të provuar pafajësinë e tij, por edhe ky proces ishte tërësisht i paragjykuar dhe vendimi ishte marrë para fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Në këtë gjykim, për vetë natyrën e çështjes, por dhe për shkak të gjykimit në mungesë e mangësisë së të provuarit të akuzës, ishte detyrë ligjore përsëritja e shqyrtimit gjyqësor, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të zbulohej e vërteta dhe të provohej pafajësia e kërkuesit”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes, duke shtuar se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vend që të kalonte çështjen për gjykim dhe të konstatonte shkeljet e shumta procedurale të kryera nga gjykatat më të ulëta, ka vendosur mospranimin e rekursit. Pas shqyrtimit, Kushtetuesja vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, dhe vendosi që gjykimi në Gjykatën e Tiranës ka qenë vetëm me një palë, pra prokurorinë, ndërsa Ago mbrohej vetëm me një avokat kryesisht. Në Apel është rihapur hetimi gjyqësor dhe është marrë në pyetje vetëm i pandehuri. “Gjykata e Apelit Tiranë kishte detyrimin që, qoftë edhe kryesisht, të përsëriste hetimin gjyqësor dhe të kërkonte paraqitjen në seancë dhe pyetjen e atyre dëshmitarëve, dëshmitë e të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë i ka vënë në bazë të vendimit të saj, në mënyrë që në zbatim të parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit t’ia nënshtronte këto prova debatit gjyqësor dhe t’i jepte mundësi kërkuesit që t’i kundërshtonte ato në seancë gjyqësore”, pohon Kushtetuesja, duke shtuar se mospranimi i kërkesës për përsëritjen tërësisht të hetimit gjyqësor e ka vënë kërkuesin haptazi në pozitë të pabarabartë me akuzën, duke cenuar në këtë mënyrë parimin e barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit.

Vendimi i Shkallës së Parë

Gjykimi në këtë shkallë u bë në mungesë, pasi Albenc Ago nuk ndodhej në Shqipëri. Sipas vendimit, me kryesues gjyqtarin Gjin Gjoni, rezulton se më datë 23 maj 1997, në aksin e rrugës Tiranë-Elbasan, në kilometrin e 29, është gjetur e vrarë shtetasja Eva Vishaj (Lila). Kjo vrasje rezulton se është realizuar me armë zjarri dhe pikërisht me një plumb në kokë që ka si vrimë hyrje nga përpara dhe vrimë dalje në pjesën e pasme të kokës. Viktima është gjetur nga një shofer furgoni. Që nga momenti i ngjarjes dhe deri në vitin 2004, kjo ngjarje rezulton se ka mbetur pa veprime të mirëfillta dhe vetëm në vitin 2004, Prokuroria ka filluar hetimet, duke e sjellë për gjykim një të pandehur (Albenc Ago) në vitin 2005. Në zbardhjen e vrasjes, krahas provave, dëshmuan Robert dhe Saimir Vishaj, Fatbadha Nito, Gazmend Demi, Ardian Resuli, Shpresa Thëngjilli etj. Sipas gjykatës, mekanizmi i ngjarjes është i ndërtuar në këtë mënyrë: Viktima rezulton të ishte e punësuar si kameriere pranë lokalit të ndodhur në cep të parkut “Rinia” që quhej “Juna”. Punësimi i saj kishte ndodhur në sajë të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit. Përveçse punonte në Tiranë, viktima rezultonte të jetonte po në Tiranë në një apartament në afërsi të rrugës “Bardhyl”. Në këtë banesë jetonte me fëmijët e saj pasi rezultonte se ishte e ndarë. Në periudhën e vitit 1997, për shkak të rrëmujave të atij viti, pjesa më e madhe e popullsisë qëndronte në shtëpi, pasi nuk kishte mundësi aktivitetesh dhe argëtimesh. Viktima për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që kishte me drejtoreshën e shkollës “Hoxha Tasim”, dëshmitaren Fatbardha Nito, kishte filluar të shkonte në kurse aerobie sa kohë që kishte kohë të lirë. Më datë 23 maj 1997, viktima ka shkuar në kursin e aerobisë. Sapo ka lënë çantën dhe është veshur me rroba sportive ajo ka marrë vesh se po e kërkonte shoferi i një makine fuoristradë, pikërisht i pandehuri Albenc Ago. I pandehuri rezultonte se punonte si shofer i dëshmitarit Gazmend Demi dhe një pjesë të madhe të kohës ishte shofer dhe i fushatës elektorale të PS-së dhe në ndihmë të shtabit elektoral të saj. Në kohën që i pandehuri është futur në oborrin e shkollës dhe e ka marrë me vete në makinë, kanë qenë një pjesë e grupit të shoqërimit të kryetarit të Partisë Socialiste të asaj kohe dhe pikërisht edhe dëshmitari Alket Bega, punonjës policie, i cili e njihte autorin. Faktin e ardhjes në shkollë atë ditë e ka shpjeguar edhe mësuesja e aerobisë, dëshmitarja Shpresa Thëngjilli. Sipas dëshmive dhe konkretisht të Gazmend Demit informacion që rezulton ta ketë marrë nga persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip mitsubishi, ngjyrë qielli që po udhëtonte në drejtim të rrugës së Elbasanit, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara. Pas këtij momenti, viktima Eva Vishaj nuk është parë më. Po atë ditë, viktima, sipas deklarimeve të dëshmitarit Demi, është kërkuar në lokalin ku punonte zakonisht, por nuk kishte ardhur. Me pas ky i fundit e ka kërkuar edhe në banesë por nuk është bërë e mundur gjetja e saj. Atë natë, së bashku me shoferin e tij, kanë shkuar në të gjithë komisariatet e policisë së Tiranës për të marrë ndonjë njoftim. Ditën e nesërme dëshmitari Demi ka lexuar mbi vrasjen e një vajze të re, e cila ishte gjetur në rrugën Tiranë-Elbasan. Së bashku me dëshmitarin Ardian Resuli, kanë shkuar në morgun e Tiranës ku kanë konstatuar se pikërisht viktima ishte Eva Vishaj. Ai ka folur edhe me dëshmitarin Alket Bega, i cili i ka treguar në lidhje me rrethanat e marrjes së viktimës nga ana e të pandehurit Albenc Ago. Demi ka kërkuar që të kontaktonte me Agon në telefon, ku ky i fundit i ka thënë se i kishte ndodhur “diçka” dhe në tensionim e sipër të dëshmitarit Demi i pandehuri Ago ia ka mbyllur telefonin duke mos komunikuar më me të. Më pas është marrë raporti mjekoligjor, nga ku rezultoi se vdekja është shkaktuar nga plaga tejshkuese në kokë. Në momentin e këqyrjes së kufomës ka rezultuar se viktima Eva Vishaj ka qenë e veshur me një bluzë të bardhë me krahë të shkurtra dhe me pantallona të shkurtra sintetike, rroba këto që viktima i përdorte në aerobi, ndërsa rezultoi se Eva ishte dhunuar para vrasjes. Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë Albenc Agon me 20 vite burg, vendim i cili u rrëzua pas shtatë viteve.

Top Channel