“Maldivet e Europës”/ Nga ujëvara e famshme te një nga kanionet më të thella në kontinent, Daily Mail eksploron 13 “mrekullitë” e vendit tonë
ARTAN MULLAJ – Në fund të rrugicës sime mbi Porcelan banon një familje e
sapokthyer nga Greqia. Burrë e grua rreth të dyzetave, ata kanë dy
fëmijë të bardhë e të shëndetshëm, që flasin shqip me zanoret e
stërgjatura fjollë të greqishtes, si për të kujtuar me përkëdheli furinë
e kujtimeve helene.
Kur erdhën para disa muajsh, një makinë e madhe me targa të Athinës solli plaçkat dhe mobiliet e tyre, shumica të panevojshme, si relika të emigrimit. Një makinë e dytë solli disa pajisje biznesi, që u montuan në katin e parë të se njëjtës banesë, për të krijuar një linjë prodhimesh pastiçerie, çka u qartësua kur mbi qepen u var një tabelë: “prodhime buke dhe ëmbëlsira tradicionale greke” .
Rrugica jonë duket si një pjesëz e shkëputur nga Hëna në qiell, me gjithë ato gropa dhe me gjithë atë pluhur. Nuk janë hapur prej meteroiteve, por prej mungesës së vëmendjes dhe papërgjegjshmërisë së autoriteteve. Baltë në dimër, pluhur në verë. Nga perëndimi, 200 hapa fshatari më tutje, rrugica jonë pritet me rrugën e Kokonozëve. Nga andej vjen gjithmonë një aromë vjellëse materiesh fekale, që rrjedhin lirisht në kanalin anash të kësaj rruge. Të dala direkt nga goja e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, premtimet për sistemimin e kësaj rruge dhe këtij kanali që rrezikon shumë shëndetin e fëmijëve të lagjes, kanë mbetur ende brenda sirtarëve të administratës së tij. Megjithatë, as rrugica, as fekalet dhe as premtimi i pambajtur i Lulit, nuk e penguan çiftin e rikthyer në atdhe ta marrë realitetin me sportivitet. Energjia pozitive nuk iu shua as kur, për të regjistruar në shkollë fëmijët e tyre, të lindur, rritur dhe edukuar në Greqi, iu kërkua të paguanin euro “të ndrojtura’ nën dorë. Nuk iu shua as kur, një mëngjes u ngritën dhe panë se veturës së tyre, të parkuar përballë, i kishin vjedhur pasqyrat. Të edukuar me atletizmin grek të marrjes lehtë të gjërave, e duruan me krenari edhe sëmbimin therës, shkaktuar nga djegia e përnatshme e plehrave nga banorët rrotull, ndërsa reja helmuese e tymit nderej pezull në dhomat e tyre të gjumit.
Sado cfilitëse të jenë, fillimet e çdo aventure kanë përherë magjinë e “hapave të parë”, në vështirësinë e të cilëve fshihet edhe fati, edhe dëshira për të vazhduar. Magjia e fillimit i dha në këtë mënyrë çiftit emigrant qasje pozitive dhe optimizmin që thamë. Në të njëjtën kohë me regjistrimin e fëmijëve në shkollën 9-vjeçare “Hasan Prishtina”, regjistruan biznesin e tyre në QKR, dhe aplikuan për licencimin e prodhimit artizanal grek në punishten e tyre.
Dhe, pasi kishin investuar në biznesin e ri krejt “djersën” e emigrimit, filluan prodhimin. Kam qenë disa herë atje. E pamundur t’u rezistoje xhelatinave rrezëllitëse të ëmbëlsirave që të çmendin shijen me mozaikun e ylbertë të shijeve të paralajmëruara. Të ftojnë, të thëthijnë, të trazojnë lëngjet në stomak. Krijohet një varësi shkatërruese, sidomos për disa njerëz, që ëmbëlsinë dhe ëmbëlsirat i kanë të nevojshme si dashurinë. Kjo ëmbëlsi e shëndetshme në frigoriferë, përzihet me fisnikërinë e shërbimit, për të krijuar raporte, perceptime klientësh, komoditet dhe harmoni.
Mirëpo, perdet e së keqes filluan të bien sakaq, që në javët e para. Pasi provuan ëmbëlsinë e “hidhur” të ëmbëlsirave për shkak të shtrenjtësisë së tyre, banorët e lagjes, shumica të papunë, “lidhën duart me pranga” në kangjellat e ballkoneve të tyre, për të luftuar tundimin dhe zgjodhën të shijojnë ëmbëlsirat greke nga larg, thjesht duke i fantazuar ato. Nuk vonoi dhe bashkë me shitjet e para në punishte, ra edhe optimizmi i pronarëve të saj. Në fytyrat e tyre u vendos si një llastik i prishur maska e zhgënjimit. Pastaj një tjetër maskë, ajo e dëshpërimit. Më vonë, filloi t’ju avitet një tjetër maskë në atmosferë, sulmuese, e gatshme t’ju marrë edhe frymën: Maska e pikëllimit.
Çfarë është duke ndodhur? Sot, në vend të klientëve, në punishten e ëmbëlsirave greke hyjnë e dalin disa kostume, me disa zyrtarë brenda tyre. Janë ose agjentë tatimorë në terren, ose inspektorë të hetimit tatimor të bashkisë, ose janë punonjës të inspektoratit të ushqimit. Ata u parashtrojnë pronarëve të pastiçerisë kërkesat sipas legjislacionit shqiptar, sipas kritereve apo standardeve më të larta europiane. U kërkojnë në të drejtën e tyre, kasa fiskale, punonjës të siguruar, libreza shëndetësore. U kërkojnë të aplikojnë edhe programe moderne si në Zvicër dhe Belgjikë, për të bërë një luftë europiane kundër minjve. Pronarët duhet të kenë strategji kundër bletëve dhe grerëzave të pafajshme, që i tërheq shurupi i bërë me sheqerin më të shtrenjtë në Ballkan, ndërkohë që disa metra më tutje, minj të gjallë e të ngordhur, lundrojnë në kanalin e famshëm të ujërave të zeza, në SENËN aromatike të “Kodrës së Priftit, që rrjedh përgjatë rrugës së Kokonozëve drejt “Lanës” në qendër.
Kjo gjë ndodh me çdo biznes në periferi dhe në qendër. Zyrtarët kërcënojnë me bllokun e gjobave në duar. Shpesh penalizojnë ashpër biznese që nuk paguajnë dot qiranë dhe energjinë. Ka një mënyrë të vetme për t’i shpëtuar furisë së penalizimeve: Të paguash në dorë dhurata për “kostumet me kravata” të shtetit, që janë banditë të shtetit. T’u japësh atyre nga thërrimet e fëmijëve të tu, në këmbim të fshirjes apo mosbërjes së gjobave.
***
Mund ta përtypin vjedhjen e pasqyrave. Mund të mësohen me aromën e urinës në atmosferë. Mund ta harrojnë baltën dhe pisllëkun që e rrethon, duke kujtuar me nostalgji kohët e mira në Greqi, kur punonin dhe jetonin si njerëz. Mund ta durojnë si duronte Odisea klithmën e sirenave, gjëmimin e mjerimit në veshët e tyre, që do pasojë falimentimin e paralajmëruar të biznesit që hapën në Tiranë për të ushqyer e rritur fëmijët e tyre. Të gjitha këto mund t’i bëjnë. Por nuk mund ta kuptojnë këtë lloj banditizmi primitiv, që synon poshtërimin e qytetarit. Në rënie, në flakëzën e fundit, pranë vendimit për të mbyllur biznesin e jetës, ku investuan djersën e ftohtë të Greqisë, shteti të hyn nga dritarja, si dielli. Nuk e shmang dot. Të vjedh, të poshtëron, të shkel me hijet e administratës së neveritshme, që si hiena hyjnë e dalin nëpër bizneset e falimentuara shqiptare. U kërkojnë të paguajë në kohë taksa, tatime, sigurime, ndërkohë që shitjet në dyqan janë më të rralla se meteroitet në qiell. Një ditë punishtja e ëmbëlsirave greke u mbyll. Falimentoi. Në lagje pati banorë që i pëlqenin ëmbëlsirat e tyre, por nuk blejnë se nuk kanë para për t’i blerë. Njerëzit janë të papunë. Në lagje venë e vijnë vetëm veturat hajdute të shtetit. Brenda tyre kapardisen gjakthithësat. Kaq herë, çifti i emigrantëve, ju pati dorëzuar atyre xhiron modeste ditore, për t’u shpëtuar gjobave kërcënuese. Një moment ata nuk erdhën më në rrugicën tonë. Por me siguri gjuajnë në rrugicat e tjera, biznese të tjera të reja, që hapen dhe mbyllen sakaq.
Top Channel