Swoboda: Statusi, kusht zgjedhjet 2013

24/09/2012 19:35

Lideri i së majtës në Parlamentin Europian, Hanes Swoboda shpjegon hezitimin e vendeve anëtare dhe deklaron për Top Channel se Shqipëria mund të marrë një status të kushtëzuar me zgjedhjet e vitit 2013, të cilat do të jenë një kusht i fortë edhe për çeljen e negociatave për anëtarësim.

TCH: A keni dëgjuar për mundësinë e dhënies së statusit kandidat këtë vit dhe cilat janë shqetësimet kyçe që mbeten për Shqipërinë?

Swoboda: “Siç e dini, për Bashkimin Europian përbëjnë shqetësim të gjitha zgjedhjet në Shqipëri. Unë shpresoj që Shqipëria të marrë statusin kandidat, ndoshta me kushtin që zgjedhjet të shkojnë mirë, në kuptimin që të jenë zgjedhje të lira e të ndershme. Por, mendoj se duhet të kemi një hap përpara, sepse Shqipëria me zhvillimet e fundit e meriton atë lloj statusi kandidat. Ende është një rrugë e gjatë për t’u bërë, por të paktën ne duhet ta japim këtë shtysë, këtë sinjal”.

TCH: Por vetëm pasi të dëshmojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo do të thotë në 2013-ën, kur mbahen dhe zgjedhjet e radhës?

Swoboda: “Po, por nëse ju do të merrni një status të kushtëzuar, kjo do të ishte një hap i mirë përpara. Sigurisht edhe dhënien e statusit me gjëndjen aktuale Shqipëria e meriton, por unë e di se ka disa hezitime për këtë.

Një nga mundësitë është që vendet anëtare të votojnë tani propozimin e Komisionit për status kandidat ndaj Shqipërisë, por duke thënë se ne do të presim deri në fund këshillën e qartë të Komisionit pas zgjedhjeve të ardhshme. Nëse zgjedhjet e ardhshme shkojnë mirë, atëherë ky vendim validohet. Nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme, atëherë ky vendim do të jetë nul dhe i pavlefshëm.

Mundësia e dytë është që të themi ‘Po, statusi është’, por nisja e negociatave të bëhet vetëm pasi ne të shohim se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Pra, ka disa variante, por në ç‘do rast, unë shpresoj për një sinjal të qartë pozitiv për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Këshillit.

Gjithësesi, qoftë vetëm  për statusin apo për çeljen e negociatave, zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishme”.

Intervistoi: Arta Tozaj

Top Channel