Sa e vlerësojmë jetën në Shqipëri

18/09/2012 18:40

Jeta është dhurata më e çmuar që na është dhënë. Por atë shpesh e kosiderojmë si një fakt aq të mirëqenë dhe të pandryshueshëm sa në një farë mënyre e “marrim nëpër këmbë” ose bëjmë tolerime të tilla që më pas na kushtojnë shtrenjtë.

Për ne që jetojmë në një vend ku ekzistencës nuk i jepet rëndësi e dorës së parë në gjithë veprimtarinë e përditshme, ky fenomen nuk bie shumë në sy. Por mjafton të pyesësh një të huaj që vjen në Shqipëri për herë të parë për të marrë një tablo të qartë.  

Në fund të qëndrimit ai do të të thotë: “ecni si të çmendur në rrugë; si ka mundësi që nuk i bini shëndetit pas, apo përse acaroheni dhe ziheni e shpesh edhe qëlloheni për një fjalë goje”.

Në pjesën më të madhe të shqiptarëve kjo është mëse e vërtetë edhe pse sigurisht ka shumë nga ata që kujdesen dhe e çmojnë jetën. Po flasim në përgjithësi dhe kryesisht për ata që i përkasin periferive. Jo se në qytete nuk gjen sa të duash nga ata që i japin makinës të pirë apo tejkalojnë shpejtësinë, apo edhe nga ata që nuk mbahet mend që kur kanë qenë te mjeku apo tek dentisti.

Arsyet për këtë neglizhencë me çmim shumë të lartë e shpesh fatal për veten dhe të tjerët që na dalin në rrugë mund të jenë të shumta, të përgjithshme apo personale, mund t’ia vëmë fajin botës, qeverisë, fatit te keq. Ndoshta të gjitha këto kanë pjesën e vet, por duhet parë edhe nga vetja, nga marrëdhënia që kemi me të. Nëse do ta donim më shumë vetveten do të ishim më të kujdesshëm për ruajtjen e saj dhe të jetës së tjetrit, më të përgjegjshëm kur t’i jepnim gaz makinës, më të shqetësuar kur të na shqetësonte një dhimbje e vazhdueshme në trup dhe më të matur e tolerantë kur të përballeshim qoftë edhe me një padrejtësi personale.

Të shohësh nga vetja me më shumë dashuri dhe përgjegjësi ndoshta do të shmangte shumë qedere që ndodhin rëndom në rrugët, shtëpitë dhe jetët tona.

Shqiptarët, vizitat tek mjeku kur sëmundja është rënduar

Të gjithë biem dakord: Shëndeti është mbi të gjitha. Por nuk rezulton kështu në praktikë. Mjekët theksojnë me keqardhje se vërejnë një edukatë mjaft të ulët shëndetësore. Madje dhe vetë ne e pranojmë se neglizhojmë vazhdimisht t’i drejtohemi mjekut.

Edhe pse flitet shumë për sëmundje tepër të përhapura si kanceri i gjirit apo i qafës së mitrës, mjekja onkologe Teuta Buxheli tregon se 50% e grave të diagnostikuara janë raste të avancuara të sëmundjes: ”Ka gra që nuk kanë informacion aspak. Ka edhe një kategori që e njohin sëmundjen, por nuk është e sensibilizuar sa duhet.”

Situata nuk ndryshon po të kalosh në sëmundshmëri të tjera. Loni Pepo, mjek kardiolog në qendrën shëndetësore nr. 4, tregon se megjithëse sëmundjet e zemrës zënë 56% të të gjitha sëmundjeve, numri i vizitave është i ulët. Por dhe ata që vendosin të trajtohen tek mjeku, abuzojnë me kurimin: ”90% e rasteve harrojnë të pinë ilaçet.”

Shëndeti mendor ka të tjera specifika që i pengojnë njerëzit t’i drejtohen mjekut. Ariana Rreli, mjeke psikiatre, thekson se në krah të edukatës së ulët shëndetësore, vihet dhe paragjykimi që ekziston për frekuentimin e një mjeku të tillë: “Megjithëse çdokush ka stres, askush nuk drejtohet tek psikiatri apo psikologu.”

Por duke lënë pas notat pesimiste, mjekët theksojnë se puna duhet të drejtohet ndaj sensibilizimit.

25 vjet diabetik. Neglizhoi një infeksion të vogël, rrezikoi të priste këmbën

“Mjekësia më ka dalë borxhit, por unë kam qenë vetë kundër vetes sime.”

Ylli Cakanji prej 25 vitesh vuan nga diabeti, por është i ndërgjegjshëm që nuk është kujdesur për veten. Aktualisht ndodhet në spital pasi ka neglizhuar një infeksion të vogël të gishtit që i rrezikon prerjen e këmbës.

“Më enjtej disa herë këmba e më ulej prapë. S’i vura rëndësi se thoja do ikë vetë”, shprehet Ylli.

70-vjeçari ka një histori të gjatë sëmundjeje, po dhe aq të gjatë neglizhence: “Informacion kisha, mjekët më thonin mos hip në biçikletë. Më thonin mos ha shumë, unë nga 3-4 pjata gjellë në darkë.”

Edhe diabetin e ka zbuluar 4 vjet me vonesë, kur ka përfunduar në spital me dyfishin e nivelit të sheqerit në gjak. Por rasti i fundit e ka bërë të mendojë seriozisht për shëndetin e tij.  

“Tani e tutje s’do vë më raki në gojë sikur Perëndia të më vijë, jo miku. Se kur vjen miku në shtëpi unë pi një kile raki. I them mikut po s’e mbaruam shishen s’ke për të fjetur gjumë, edhe bukë i jap me zor”, tregon Ylli.

70-vjeçari i është nënshtruar një mjekimi mjaft rigoroz, falë të cilit ka shumë gjasa ta shpëtojë këmbën nga prerja. Ai duket vërtet i vendosur se tani e tutje s’do abuzojë më me shëndetin e tij.

“Dhimbja ka qenë shumë e madhe. Të më kishte rënë më përpara ky siklet do kisha vënë mend me kohë. Tani jo raki që s’do vë më në buzë, por as nuk do dal më.”

Top Channel