Në një takim të gjatë në Bruksel, siç e deklaroi dhe nëpërmjet “Tëitter”-it, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, i ka shpjeguar Presidentit Bujar Nishani se ç’do të thotë që statusi kandidat është i arritshëm. Zëdhënësi Peter Stano sqaron për “Top Channel” se çfarë mbetet për t’u bërë.
“Gjatë bisedës me Presidentin Shqiptar, Komisioneri Fyle tha se ajo që është e nevojshme për të arritur progres në rrugën e integrimit të Shqipërisë është një masë kritike rezultatesh konkrete për 12 prioritetet kyçe, e kjo përfshin përshembull: miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë apo përmbylljen e reformës parlamentare dhe në këtë kuadër, me rëndësi është edhe reforma e sistemit të imuniteteve. Ajo që Komisioneri theksoi gjithashtu është se Shqipëria duhet të shumëfishojë përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor efikas dhe të pavarur, e kjo është shumë e rëndësishme. Por, është e rëndësishme edhe që të sigurohen gjurmë të forta provash në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi zedhenesi Stano.
Sipas Presidentit Nishani, marrja e statusit kandidat është e mundshme nëse klasa politike punon çdo orë dhe çdo dite deri më 10 tetor. Ndërkohë që Komisioni Europian kembengul se përveç votimeve të ligjeve, nevojitet zbatim.
“Biseduam, pa dyshim, edhe për arritjet e rëndësishme, siç ishte votimi me konsensus në Parlament i kodit të ri zgjedhor, përpjekjet e bëra dhe të gjitha shenjat pozitive ndaj procesit të heqjes së imunitetit (pasdite ky ligj kaloi në Kuvend), si tregues i përgjegjësisë dhe përgjegjëshmërisë së të gjitha palëve politike në Shqipëri në shërbim të integrimit europian të vendit. Një vend të rëndësishëm në bisedimet me komisionerin Fyle zunë edhe reformat në drejtësi, ku Presidenti i Republikës, edhe në kuadrin e kryetarit të KLD-së, ka angazhime të rëndësishme”, deklaroi Nishani.
Shqipërisë i mbeten edhe tre javë kohë për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme që do t’i mundësonin Komisionit t’i rekomandonte Këshillit të BE-së dhënien e statusin kandidat për vendin.
Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel
Top Channel