“Shkolla për mua është mrekulli!”

11/09/2012 18:00

“Për mua dita e parë e shkollës është mrekulli!”
Edhe pse kanë kaluar pesë vjet që kur ka shkuar në shkollë për herë të parë, Agustin Aramadhi e shijon këtë ditë si të ishte e para ditë shkolle në jetën e tij.

15-vjeçari me origjinë nga Shkodra, i lindur në Tiranë, ka pas krahëve një histori të gjatë përpjekjesh për t’u arsimuar.

Agustini është ulur për herë të parë në një bankë shkolle, në klasën e pestë. I mbetur me aftësi të kufizuar fizike që foshnje për shkak të sëmundjes së poliomelitit, ai nuk kishte mundur të depërtonte në sistemin arsimor që në klasën e parë.

Por e ëma s’mund ta linte kurrsesi pa shkollë. Edhe pse nuk ishte me profesion mësuese, ajo i dha mësim të birit për katër vjet rresht. Pas një testimi, Agustini ia doli. Mund të hynte në klasën e pestë.

“Kam vuajtur shumë për Agustinin. Për katër vite jam përpjekur ta fusja në shkollë dhe nuk ma pranonin. Thonin se fëmija im ishte ndryshe nga të tjerët”, shprehet e ëma e djalit.
     
Por kjo ishte vetëm një betejë e madhe e Agustinit. Ai luftën e përhershme e ka me shëndetin. Siç thonë të afërmit e tij, Agustini vetëm se s’është bërë prej betoni. Deri më tani, ka kaluar 9 operacione dhe duhet të bëjë dhe të tjerë. Ilaçet s’i janë ndarë asnjëherë. Megjithatë, ai është një djalë i qeshur. Në shkollë akoma më shumë, e harron atë çfarë ka kaluar.

“Në shkollë ndihem normal. Shkolla ka ambiente të përshtatshme dhe është pranë shtëpisë. Më parë e kam pasur të vështirë të shkoja çdo ditë”, thekson Agustini.

Por edhe pse familja bashkë me të i kanë kapërcyer pengesat më të mëdha, me ato më të voglat, por që bëjnë jetën, vazhdojnë të përballen cdo ditë.

“Unë për shkollimin e Agustinit do të shisja dhe shtëpinë, por t’ju them të drejtën ndihem keq kur më duhet të blej dhe librat. Agustinit dhe çdo invalidi tjetër duhet t’i jepen ato që u takojnë”, nënvizon e ëma.

Por megjithëse e bëjnë të ndjehet e vetme, këto ngjarje të vogla nuk ia lëkundin besimin që ka tek djali i tij i cili tani është në dilemë për të zgjedhur profesionin e jetës: “Më përpara kisha dëshirë të bëhesha doktor, por tani nuk e di… Më pëlqen astronomia”

Megjithëse shkolla është për të gjithë, Agustini thotë se më shumë se të tjerëve, ajo është e vlefshme për personat me aftësi të kufizuar.

“Ne invalidët vetëm atë mundësi mund të kemi, s’mund të punojmë në ndonjë mënyrë tjetër nëse nuk kemi shkollën”, përfundon Agustini.

Top Channel