Brosnan: Dashuria, kurë që të përmirëson jetën

07/09/2012 00:00

Brosnan është një njeri i nderuar, sepse sa herë që të tjerët e pyesin
për rolin e James Bond, pavarësisht se bezdiset, përgjigjet me durim:
“Nuk kam më lidhje me personazhin e James Bond, madje është ai që më
ndjek pas prej dhjetë vjetësh. Unë e kam nisur rrugën e aktrimit që kur
isha 18 vjeç. Bond është vetëm një prej roleve të karrierës sime”.

Një karrierë së cilës i shtohet edhe roli i romantikut Philip, protagonisti i “Love is all you need”. “Susanne Bier e ka shkruar pjesërisht, duke më menduar mua. E dinte se kisha humbur time shoqe, e cila vdiq nga kanceri. Unë e kuptoj reagimin e saj ndaj dhimbjes, nevojën për t’u izoluar nga të gjithë, duke u mbyllur në punë. Unë dhe Philip jemi dy burra në mes të jetës, kemi shumë elementë të përbashkët. Është e vërtetë se të gjithë personazhet kanë një kompleksitet të vetin, por ky është një prej filmave që nuk kam pasur nevojë të aktroj”.

Mes temave të filmit “Love is all you need” është edhe raporti mes prindërve dhe fëmijëve. “Jam shumë i përgatitur për sa i përket kësaj teme. Kam katër fëmijë dhe i di vështirësitë që shoqërojnë rritjen e fëmijëve. Megjithatë, unë jam një baba më i mirë se Philip. Ai ka krijuar një hendek me të birin. Nuk e njeh, kënaq dëshirat e tij materiale dhe mendon se në këtë mënyrë e ka ezauruar rolin si baba. Unë nuk jam kështu. Përpiqem që të jem pranë tyre medoemos. Më mungojnë kur jam larg dhe unë u mungoj atyre. Përpiqem të jem një baba i mirë për ta, sepse mua më ka munguar modeli. Unë nuk kam pasur baba. U largua nga shtëpia kur isha shumë i vogël. Mund të them me plot gojën se ky ka qenë një prej problemeve më të mëdha që kanë trazuar ekzistencën time”. Sussane Bier zgjodhi Sorrenton për të përshtatur festën e martesës. “Deti, dielli, bukuria e natyrës: e ku tjetër mund të xhirohej një histori dashurie kaq e bukur?”, thotë regjisorja. Pikërisht në Sorrento, Philip afrohet me të birin Patrick. Edhe në filmin “Mamma mia!” pati një martesë dhe për Brosnan, që ishte një ndër protagonistët e filmit, ka shumë pika kontakti mes dy punëve, si në aspektin e dashurisë, ashtu edhe në raportin mes prindërve dhe fëmijëve. Martesa është një ngjarje ku mblidhen të gjithë pjesëtarët e një familjeje, ndaj është shumë e lehtë që të shpërthejnë tensione dhe armiqësi që në normalitet janë nën kontroll. Dialogu mes babait dhe djalit është një skenë që më mallëngjen, edhe pse rikrijohet një marrëdhënie e besueshme. Ky është një mesazh shprese. Për mendimin tim, i gjithë filmi është një ftesë për të besuar se dashuria bën gjithçka të mundur. Titulli i filmit nuk mund të ishte më i goditur”.

Në kinemanë e Susanne Bier, tema e familjes preket shpesh, sepse sipas regjisores: “Duke bashkuar prindërit dhe fëmijët që ndoshta jetojnë larg njëri-tjetrit, mund të nxiten shpërthime të papritura mes tyre, por gjithashtu stimulon një konfrontim me veten. Personazhi i Patrick nuk do ta kishte njohur kurrë veten në qoftë se nuk do të gjendej në atë situatë”. Dhe nuk është vetëm kinemaja e Bier që frekuenton shpesh familjen. Sipas shkrimtarit Anders Thomas Jensen, kjo është një temë e dashur për kinemanë e Danimarkës dhe të gjithë Skandinavisë. Ndoshta ngaqë në anët tona jeta është shumë e qetë, nuk ndodhin gjëra të mëdha. Dramat e vërteta shpërthejnë në familje”.

Top Channel