‘Albpetrol’, kush është pronari?!

07/09/2012 19:50

Pak orë pas hapjes së ofertave në tenderin e shitjes së ‘Albpetrol’ dhe ofertës surprizë, nisin e dalin në dritë edhe dyshimet dhe pikëpyetjet e para.

Konsorciumi i përbërë nga ‘Vetro’ dhe ‘Silk Road Equity’ që ofroi çmimin më të lartë prej 850 milionë euro, të paktën nga të dhënat që mund të merren publikisht nuk rezulton të ketë eksperiencë në fushën energjetike, një kriter detyrues për blerësin e ‘Albpetrol’.

‘Silk Road’ është një fond amerikan investimesh nga Çikago, ndërsa ‘Vetro’ një kompani nga Singapori për të cilën ekzistojnë shumë pak informacione publike.

Por dyshimet që lidhen me kriterin strategjik nuk janë të vetmet. Madje, janë të tjera fakte ato që hedhin dyshimet më të forta mbi këtë privatizim ende në tentativë.

Në tender ky konsorcium përfaqësohej zyrtarisht nga Essad Puskar, një boshnjako-amerikan shumë i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë.

Puskar, një personazh kontrovers, ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behxhet Pacollit president në Kuvendin e Kosovës më 22 shkurt të vitit të kaluar.

Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit ishte pikërisht ky individ që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell dhe vetë zotit Pacolli.

Nga lëvizja Vetëvendosje ai është pagëzuar me emrin “Damir Fazlliçi i Kosovës”. Ky i fundit ndoshta jo fort rastësisht mbërriti në Tiranë mbrëmjen e vonë të së enjtes, i përfolur si lobues për një tjetër kompani në tender.

Me sa duket, betejën e ndërmjetësve kontronversë deri tani e ka fituar boshnjaku më i ri. Por në fakt, lidhjet e Puskar nuk janë të forta vetëm në Kosovë.

Nga një kërkim i thjeshtë në internet zbulohet se Puskar ka shërbyer edhe si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjitike në Shqipëri, Rezart Taçit.

Të dy i bashkon edhe një histori me Azerbaxhanin. E ndërsa Taçi së fundmi është përballur me probleme në gjykatë me Bankën Kombëtare Azere për një borxh prej 75 milionë eurosh për blerjen e ‘Armo’, Puskar ka qenë mjaft aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Europë.

Kjo lidhje po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm pak vite më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht ‘Armo’. Edhe në atë kohë, fillimisht u tha se blerësi ishte një kompani amerikane nga Teksasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi.

Amerikanët nuk u dukën asnjëherë në Shqipëri dhe emri i tyre nuk u lakua më pas përfundimit të tenderit. Përfshirja e Puskar në tenderin për ‘Albpetrol’ i shton edhe më shumë dyshimet se kush qëndron pas ofertës për blerjen e ‘Albpetrol’.

Nga vijnë paratë dhe kush është e mund të jetë vertetë pronari i ri i ‘Albpetrol’, amerikanët e konsorciumit apo azerët e Sokar?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA