Sa më shumë digjen pyjet, aq më shumë fitojnë disa kompani të cilat fitojnë gjithmonë ankandet e shitjes së pemëve të djegura.
Asnjë vit këto kompani nuk kanë njohur krizë papunësie për shkak se çdo vit masivet me pyje në Pukë, Burrel, Shkodër, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan dhe veçanërisht në Korçë digjen.
Zjarret këtë vit janë në 90 përqind të rasteve të qëllimshme, thotë policia dhe një pjesë e tyre i kanë ndezuar barinjtë për rinovimin e kullotave.
Por në zonat me pyje të larta, si në Pukë, Malësinë e Madhe, Lurë, në Korçë nuk ka kullota, por masive me pisha, lisa apo ahe të lartë shekullorë.
Në këto zona ushtrojnë veprimtarinë edhe disa kompani private që përdorin drurët e djegur për prodhim qymyri dhe për eksport. Por a ka ndonjë lidhje mes intensifikimit të zjarreve dhe këtij biznesi që nuk njeh krizë?
Të paktën në Korçë policia ndaloi dy persona për zjarrvënie të qëllimshme. Ata ishin punëtorë të një kompanie që shfrytëzon pyjet e djegura.
Ndërsa në Shkodër dhe Pukë, statistikat tregojnë se janë të njëjtat kompani që çdo vit fitojnë tenderat për shfrytëzimin e lëndëve drusore të mbetura nga pyjet e djegura.
Policia e Korçës njoftoi në datën 30 gusht se arrestoi dy shtetas që punonin në masivin pyjor të malit të Stratobërdhës, në vendin e quajtur Zhiger, në komunën e Vikthuqit, për prerjen e pemëve me qëllim prodhimin e qymyrit. Pak ditë më pas gjykata i liroi për mungesë provash.
Pylli në malin e Stratobërdhës po digjet. Duket qartë se sasia e qymyrit të prodhuar me djegie dhe drurët e prerë që janë grumbulluar për t’u shndërruar në qymyr do të jetë e madhe.
Top Channel ka filmuar në mënyrë të fshehtë kantierin e prodhimit të qymyrit, i menaxhuar nga një prej kompanive, që bëri të pamundurën për të penguar grupin e xhirimit.
Pjesa më e madhe e drurëve të djegur ikën për eksport në Greqi dhe në doganën e Kapshticës zyrtarisht thuhet se kalojnë 4 deri në 5 kamionë në ditë me lëndë drusore të dëmtuar nga zjarret.
Ato përdoren për prodhim qymyri dhe lëndë e parë për materiale për mobileri. Së fundmi në këtë qark është duke u djegur masivi pyjor i Bosdovecit, një park kombëtar me pemë të larta.
Zjarri, sipas policisë, është cilësuar i qëllimshëm dhe sasia e madhe e drurëve të dëmtuar është një minierë e mirë për ata që ushtrojnë biznesin e shfrytëzimit të lëndëve drusore të pyjeve të djegur.
Top Channel