Bastet, vetëm Conte dënohet. Juve kërkon trajner?

08/08/2012 18:40

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, do të jetë i vetmi që do të dënohet nga bardhezinjtë përsa i përket procesit në zhvillim për skandalin e basteve, ndërsa dy futbollistët e inkriminuar, Simone Pepe dhe Leonardo Bonucci, do të shpallen të pafajshëm.

Ndonëse një skenar i tillë duket i vështirë të realizohet, edhe sepse më parë dënimi për dy futbollistët ishte dhënë si i sigurt, lajmi u komunikua të mërkurën nga “La Gazzetta dello Sport”, e cila citoi “burime të sigurta” brenda Prokurorisë Federale.

Sipas së përditshmes më të madhe sportive italiane, dëshmia e ish-futbollistit Masiello, që fajëson Bonuccin dhe Pepen për fiksimin e rezultatit të ndeshjes Udinese-Bari në sezonin 2010-11, është gjykuar si e pabesueshme.

Me rënien e saj, automatikisht dy juventinët shpallen të pafajshëm, sepse nuk ka asnjë provë tjetër inkriminuese ndaj tyre.

Qëndron ndryshe situata e trajnerit Conte, provat për dijeninë e të cilit për fiksimin e dy ndeshjeve kur drejtonte Sienën në Serinë B janë të pakundërshtueshme.

Si rrjedhojë, pritet që ndaj tij të vendoset një dënim prej dhjetë muajsh, një masë e mesme midis paktit prej tre muajsh dhe gjobë të ofruar nga avokatët e trajnerit dhe maksimales prej një vit e tre muaj pezullim për këtë thyrje të kodit sportiv.

Nëse ajo që paralajmëroi “La Gazzetta” do të konkretizohet, atëherë duket se Juventusi mund të vendoset në kërkimin e një trajneri, pasi Conte do të jetë i detyruar të qëndrojë pushim pothuajse gjatë të gjithë sezonit të ardhshëm.

Top Channel