Kombëtarja kthehet në Tiranë, por pritja shumë e ftohtë në aeroport për kuqezinjtë! Sylvinho driblon për kontratën

25/06/2024 19:37

Kombëtarja shqiptare është kthyer në Tiranë, por atmosfera që gjetën në aeroportin e “Rinasit” ishte shumë larg asaj që përjetuan për 10 ditë në Gjermani.

Përveç interesimit të lartë të gazetarëve, pak tifozë pritën futbollistët që ngritën peshë zemrat e miliona shqiptarëve.

Silvinjo, foli në dy gjuhë, italisht dhe anglisht, por në asnjë moment nuk tha që do të rinovojë kontratën me Shqipërinë, e cila përfundon për pak ditë.

“Ishte një eksperiencë e mirë për të gjithë. Ishte e vështirë për ne, por jemi krenarë për të gjithë futbollistët dhe për federatën. Shumë njerëz na mbështeten dhe jam i befasuar nga tifozët sepse kishte më shumë shqiptarë se sa gjermanë në Gjermani. Ju keni një skuadër me të ardhme. A do të rinovoj kontratën? Unë jam pjesë e juaja”.

Ernest Muçi, nuk e fshehu zhgënjimin për ndeshjen me Spanjën dhe ishte i sinqertë kur u pyet për hapësirat e munguara në kombëtare.

“Doja më shumë minuta. Gjithmonë kombëtarja është plani i parë. Ishte zhgënjyese që nuk morëm një pikë me Spanjën. Kjo eksperiencë do të na duhet edhe në të ardhmen. Jam i lumtur që te Beshiktas më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, sepse unë ndihem mirë aty”.

Ylber Ramadani ka ende peng ndeshjen me Kroacinë. Vlerësoi nivelin e kundërshtarëve dhe përvojën e tyre, por sipas mesfushorit kuqezinjtë kishin mundësi për më shumë.

“Jemi të frustruar sepse kemi dashur të kualifikohemi. Duhet të kishim bërë më shumë, me Kroacinë duhet të kishim marrë tre pikë dhe me Spanjën 1 pikë”.

Ndërkaq, Klaus Gjasula, njeriu i ekstremeve që shënoi autogol dhe gol brenda një ndeshjeje, kishte një mesazh për tifozët kuqezi.

“Ndjesia e autogoli nuk ishte shumë bukur, kam vuajtur për pak minuta pastaj me golin isha shkëlqyeshëm. Besoj për shtetin shqiptar ka qenë një gjë shumë mirë, bota tani na sheh shumë ndryshe. Tifozët kanë qenë të mrekullueshëm, më të mirët në këtë evropian”.

Top Channel