Nga lufta në futboll, kjo është ëndrra e mijëra të rinjve afganë, që janë regjistruar në një program “reality-show”, nga i cili do të “diplomohen” futbollistët që do të formojnë skuadrat e kampionatit të parë profesionist të futbollit në vend.
Pas disa rezultateve të mira dhe të papritura të kombëtares, në vendin ku kriketi është sporti më i ndjekur, futbolli ka nisur të lëshojë rrënjë dhe për shumë afganë të varfër, sporti është një mënyrë për të harruar luftën dhe problemet e jetës së përditshme.
Ajo që bën përshtypje është se sistemi i përzgjedhjes për futbollistët që do të formojnë skuadrat e kampionatit të parë afgan të futbollit është zgjedhur të jetë një “reality-shoë”, i ngjashëm me programet muzikore si “The Voice”, por me qëllim që të identifikojë futbollistët më të mirë në të gjithë vendin.
”Futbolli në Afganistan po bëhet gjithmonë e më popullor”, deklaroi Massoud Sanjer, përgjegjës për kanalin televiziv “Tolo TV”, që do të realizojë edhe këtë spektakël. “Mjafton të ecësh në rrugë për ta kuptuar. Është e lehtë të shohësh kudo njerëz që veshin fanelat e Barcelonës apo të Realit të Madridit”.
Mijëra konkurrentët do t’i nënshtrohen testimeve në driblime, gjuajtje dhe të dhënat e tyre fizike, përpara se të fituesit të shpërndahen midis skuadrave të Kabulit, Jalalabadit, Kandaharit dhe Heretit, nga një për katër qytetet kryesore të vendit, që do të diskutojnë edhe titullin kampion në kampionatin që do të vijojë.
Top Channel