Presidenti në detyrë, Hugo Chavez dhe rivali i tij, Henrique Capriles, nisën ditën e hënë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet presidenciale të muajit tetor.
57-vjeçari Chavez, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të shtetit të Amerikës Jugore, hapi fushatën me një takim elektoral në krahinën qëndrore të Karabobos.
Së fundmi Chavez është përballur me një tumor, i cili ka bërë që të qarkullojnë shumë spekulime rreth gjendjes së tij shëndetësore, por u duk në formë të mirë gjatë takimit zgjedhor.
39-vjeçari Capriles, nga ana e tij, vizitoi disa zona kufitare, në të cilat sulmoi drejtimin e Chavez, duke thënë se ai ka bërë shumë pak për rajonet rurale dhe ato që ndodhen larg qëndrave kryesore të banuara në vend.
Sipas sondazheve parazgjedhore, Chavez nis fushatën me një avantazh prej më shumë se 10% në popullaritetin e tij.
Nën udhëheqjen e tij, Venezuela është përpjekur të ndjekë një program të barazisë sociale, i kritikuar shpesh si një program tipik komunist.
Shtetëzimi i kompanive të naftës dhe politika e jashtme e kanë shndërruar Chavez në një prej kritikëve kryesore ndërkombëtare të politikës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën më parë gjatë vitit, i ka akuzuar edhe si shkaktare të tumorit të tij.
Megjithatë, Venezuela përballet me një nivel të lartë kriminaliteti dhe probleme serioze në respektimin e të drejtave të njeriut në vend, që kanë bërë që zërat kundërshtues të Chavez brenda vendit të shtohen.
Top Channel