Një ditë pas deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për tenderin e lotarisë kombëtare ka reaguar ministria e financave. Përmes një deklarate për shtyp, ministria është përgjigjur duke akuzuar liderin soicialist se po përpiqet të përbaltë një proces, që sipas saj ka qenë një ndër më transparentët të zhvilluar deri më sot.
Po kështu ministria i quan si të papërgjegjshme edhe deklaratat e zotit Rama, se qeveria po transferon miliona euro tek klientët e saj privatë duke u përpjekur të mashtrojë publikun me taksimin e kompanisë 10 përqind.
Sipas ministries, kompania private që do fitojë lotarinë kombëtare do të paguajë tatim-fitimin në masën 10 përqind, taksat lokale, Tatim mbi Vlerën e Shtuar për cdo blerje, tatim mbi dividentit, 10 përqind tatim mbi xhiron bruto si dhe është e detyruar t’i kthejë publikut të paktën 50 përqind të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve.
“E ftojme kryetarin e opozitës që të bëjë dhe njëherë llogaritë për të parë nëse do jetë publiku apo buxheti që marrin thuajse 90 përqind të të ardhurave apo kompania”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.
Menjehërë pas kësaj deklarate përmes faqes së tij sociale në Twiter ka reaguar lideri opozitës.
“Zoti Bode na kujtoka se nga grabitja e të drejtës publike për hesap të klientëve të pushtetit, shteti përfitoka TVSH e tatim-fitimi. Jo z. Bode, e drejta e publikut ne Lotarine Kombëtare nuk vlen sa taksat që do paguajnë klientët tuaj pas privatizimit kriminal të saj!, shkruan zoti Rama, duke e etiketuar Ministrin e Financave si qesharak.
Më tej kreu i opozitës vijon duke thënë se Lotaria Kombëtare është një lojë ku publiku merr pjesë jo për të pasuruar klientët e pushtetit, po për të marrë mbrapsht përfitimet prej saj, përfitime të cilat qeveria i investon në jetësimin e politikave publike për artet, sportet, trashëgiminë kulturore, rininë apo cështjet sociale, përfundon kreu i opozitës.
Top Channel