Ministria Greke e Transportit u ka hequr të drejtën e lejës së qarkullimit edhe 19 kompanive të tjera të udhëtimeve të destinacioneve të ndryshme midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Lajmin e publikoi gazeta e Janinës, “Proinos Logos”, sipas së cilës, në vendimin përkatës që u është dërguar pikave doganore midis dy shteteve, këto kompani nuk kanë dorëzuar në afatin e duhur dokumentat përkatëse.
Një muaj më parë, Ministria Greke e Transportit u kishte çuar një vendim qarkut të Epirit të Veriut dhe atij të Maqedonisë Perëndimore, duke kërkuar që të ndalonin hyrjen e autobusëve të 18 kompanive shqiptare, sepse nuk u përmbahen kushteve të sigurisë teknike të automjeteve, duke vënë në rrezik jetët e pasagjerëve.
Kështu, gjithsej numri i kompanive që ndalohen të hyjnë në vendin helen ka arritur në 37, ndërsa midis tyre vihet re se ka edhe disa kompani greke. Sipas vendimit të fundit, 27 kompani nuk kanë dorëzuar në afat dokumentat përkatësë plotësuese që u janë kërkuar prej organeve greke, ndërsa dhjetë të tjerat kanë paraqitur mungesa të theksuara në dokumentacion.
Data 11 qershor ishte data e fundit për 19 prej tyre në mënyrë që të plotësonin kërkesën për marrjen e lejes së qarkullimit.
Siç dihet tashmë, kompanitë e transporteve të vendeve të treta jashtë BE-së, siç është edhe Shqipëria, duhet të plotësojne një sërë kushtesh teknike për një udhëtim të sigurtë të pasagjerëve për të operuar në Greqi, por gjithashtu duhet të bashkëpunojnë edhe me një subjekt grek të transporteve.
Shpesh hërë, në shtypin vendas mjetet shqiptare janë quajtur edhe si autobusët e vdekjes, ndërsa përfaqësuesit e kompanive të transportit të udhëtarëve me qendër në Janinë, kanë kërkuar prej shtetit grek t’u vendosen shoqerive shqiptare taksa më të larta në shitjen e biletave të tyre, sepse siç theksojnë, u kanë marrë një pjesë të madhe të tregut të pasagjerëve.
Organet greke kanë përforcuar kontrollin dhe kërkesat teknike ndaj mjeteve që hyjnë nga katër doganat me Shqipërine, sidomos pas aksidentit tragjik të Himarës që bëri bujë të madhe edhe në mediat greke.
Top Channel