Naço shkarkon drejtorin e koncesioneve

16/05/2012 00:00

Një ditë pas publikimit të raportit të KLSH-së mbi kontrollin e ushtruar
në koncesionet energjetike ka reaguar Ministria e Ekonomisë.

Përmes një njoftimi të shkurtër për shtyp ministri Nasip Naço njofton se ka shkarkuar nga puna drejtorin e Përgjithshëm të agjencisë së trajtimit të koncesioneve Shkëlqim Kërluku.

Raporti i KLSH etiketonte agjencinë e trajtimit të koncesioneve, si një nga institucionet me shklejet më të mëdha, veçanërisht në mbledhjen e tarifave koncesionare të detyrueshme nga bizneset që kanë marrë HEC-e me koncesion.

Sipas KLSH-së, vetëm nga mosmbledhja e këtyre tarifave buxhetit i është shkaktuar një dëm prej 11 milionë dollarësh. Ministri Naço thotë në njoftimin për shtyp se raportin e KLSH-së, po analizohet me seriozitet dhe pas kësaj do të merret çdo masë dhe vendim në bazë të ligjit duke njoftuar edhe publikun. Në raport KLSH-ja bënte përgjegjës disa funksionarë të lartë të Ministrisë, në rang drejtorash për shkeljet masive në kontratat koncesionare, duke kërkuar largimin e tyre nga puna dhe madje për disa edhe ndjekje penale.
 

Top Channel