Sëmundja kthen dy vëllezër 40-vjeçarë në fëmijë

30/04/2012 16:40

Dy vëllezër në Britaninë e Madhe u prekën nga një sindromë tepër e rrallë, e cila rikthen pas moshën mendore, duke i vendosur në moshën e fëmijërisë.

Matthew dhe Micheal Clark, 39 dhe 42 vjeç, kishin të dy punë, familje dhe një jetë normale, deri në momentin që sëmundja i riktheu përsëri në moshën 10-vjeçare e në lojrat e zakonshme të një fëmije.

Të dy burrat, janë detyruar të kthehen në shtëpinë e prindërve të tyre, ku kalojnë ditën duke luajtur e pare kartona, ashtu si të gjithë fëmijët e zakonshëm. Më e keqja është se sëmundja do të vazhdojë të ulë funksionet e trurit, deri sa t’i rikthejë ata në moshën e foshnjes.

Për ironi të fatit, vajza 19-vjeçare e njërit prej të dy burrave është duke pritur një fëmijë dhe ajo është lajmëruar se në momentin kur do të lindë, mund të ketë edhe babain e saj, në të njëjtën gjendje mendore si i porsalinduri.

Pasi sjellja e tyre nisi të ndryshonte në mënyrë të pashpjegueshme, të dy vëllezërit u diagnostikuan me leukodistrofi të pakurueshme një vit më parë.

Një i prekur nga një sëmundje e tillë, e cila prek trurin, sistemin nervor dhe shpinën kurrizore, mund të mbijetojë për vetëm pak vjet. Sindroma është aq e rrallë sa në të gjithë Britaninë, njihen vetëm 100 raste dhe prekja në mënyrë të njëkohshme e dy vëllezërve nga ky problem, konsiderohet si një rast unikal.

Prindërit 63 dhe 61-vjeçare, janë detyruar të heqin dorë nga zhvendosja në Spanjë me rastin e daljes në pension, për t’i qëndruar pranë dy djemve të tyre.

”Të dy djemtë tashmë pëlqejnë filmat vizatimorë dhe lojrat e ndryshme, sidomos ato me makina apo tren. Është shumë e trishtueshme, që dy burra, të rikthehen në këtë gjendje dhe edhe më e trishtueshme që nuk ka asnjë kurë kundër këtij çrregullimi”, deklaroi babai i dy fatkeqëve, Anthony Clark.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA