Pakistani në zi për viktimat e incidentit

21/04/2012 00:00

Në Pakistan ka nisur zija për viktimat e avionit të rrëzuar ditën e premte në një zonë të banuar, në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Islamabadit.

Homazhe po mbahen aty ku 121 pasagjerët dhe gjashtë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën, pasi avioni i linjës “Bhoja Air jet” u përplas në tokë.

Skuadrat e shpëtimit rifilluan kërkimet e tyre në rrënojat e avionit, në fshatin Husain Abad të shtunën në mëngjes dhe autoritetet konfirmojnë se nuk ka asnjë të mbijetuar.

Autoritetet thonë se kutia e zezë e avionit është rekuperuar tashmë dhe do t’u dorëzohet hetuesve. Avioni ishte duke iu afruar aeroportit të kryeqytetit kur papritur u rrëzua duke u përplasur në tokë.

Fillimisht u raportua se kjo kishte ndodhur si pasojë e një rrufeje të shkaktuar nga moti i keq. Autoritetet deklaruan se trupat e viktimave po rekuperohen, por për momentin identifikimi i tyre është i pamundur për shkak të djegieve.

Ministri i Brendshëm, Rehman Malik ka deklaruar se drejtuesit të kompanisë ajrore, “Bhoja Air”, i është ndaluar të largohet nga vendi përsa kohë hetimet janë në zhvillim e sipër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA