Narko-nëndetëset, tani me formë peshkaqeni

21/04/2012 11:45

Roja bregdetare amerikane dhe policia e Hondurasit kanë sekuestruar një nëndetëse që përdorej për trafikun e drogës, në ujërat e Karibeve perëndimore.

Bëhet fjalë për nëndetësen e 30-të të kapur në gjashtë vitet e fundit, por risia qëndron në faktin se mjeti lundrues kishte një model të ri, atë të një peshkaqeni.

Operacioni i njësive ushtarake detare është kryer dy javë më parë, por vetëm këto ditë autoritetet e kanë publikuar për mediat, bashkë me fotot dhe videot e nëndetëses.

Pa zhurmë, të padukshme për radarët dhe në gjendje të transportojnë 12 tonelata kokainë, nëndetëset janë mjetet e preferuara nga kartelet kolumbiane për të dërguar drogën në Shtetet e Bashkuara.

Në bordin e mjetit ndodheshin katër trafikantë, të cilët kanë hedhur drogën në det, por gjithësesi janë arrestuar dhe janë dërguar në një burg të Majemit, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Top Channel