Dhjetë kandidatët në zgjedhjet presidenciale egjiptiane, të cilët ishin ankuar për përjashtimin e tyre, humbën edhe në Gjykatën e Apelit pretendimin e tyre.
Paneli gjyqësor nuk gjeti asnjë provë të re të ishte evidentuar nga kandidatët, duke përfshirë ish-shefin e spiunazhit Omar Suleiman dhe liderin e Vëllazërisë Myslimane, Khairat al-Shater.
Ultrakonservatori Salafist, Hazem Ebu Ismail, gjithashtu humbi apelin e tij. Të tre ishin konsideruar pretendentë kryesorë.
Korrespondenti i BBC-së në Kajro tha se vendimi riformaton zgjedhjet.
Një listë përfundimtare e kandidatëve do të publikohet në datën 26 prill, kur fushata zgjedhore fillon zyrtarisht.
Qindra përkrahës të zotit Ebu Ismail organizuan një protestë jashtë selisë së komisionit në Kajro, i cili është rrethuar nga policia ushtarake dhe makina të blinduara.
Kur refuzimi i kandidatit të tyre u shpall, disa prej tyre hodhën gurë dhe u përleshën me policinë.
Ish-shefi i spiunazhit dhe zëvendësi i Mubarak, Suleimani u skualifikua pasi nuk arriti të marrë mjaftueshëm firma për të siguruar kandidaturën e tij.
Shater një biznesmen milioner dhe deputet i Vëllazërisë Myslimane u përjashtua pasi kishte një dënim në të shkuarën.
Ayman Nour, një ish-deputet liberal i cili sfidoi Z. Mubarak për presidencën në vitin 2005, u ndalua gjithashtu për kandidimin.
Abu Ismail ishte skualifikuar sepse nëna e tij mbante shtetësinë amerikane, diçka që Salafistët e kanë mohuar fuqishëm.
Raundi i parë i votimit është caktuar më 23 dhe 24 maj, pas së cilës pritet në qershor të ketë një balotazh ndërmjet dy kandidatëve më të votuar.
Top Channel