Senatori i Floridës dhe një figurë shumë e rëndësishme midis konservatorëve amerikanë, Marco Rubio shpalli mbështetjen e tij publike për kandidatin potencial për president, Mitt Romney.
Fjalët e mbështetjes u raportuan gjerësisht në shtypin amerikan gjatë së enjtes, ndërsa deklarata e Rubios përbën një zhgënjim të madh në fushatën e Santorum, që është shndërruar në rivalin kryesor brenda republikanëve për Romney nëpërmjet platformës së tij konservatore.
Me demokratët që kanë konfirmuar presidentin në fuqi, Barack Obama, si kandidatin e tyre, republikanët po zhvillojnë një garë në fund të së cilës do të përzgjidhet njeriu që do të sfidojë presidentin aktual.
Pas votimit në më shumë se gjysmën e shteteve, gara kryesohet nga Romney, i cili ka grumbulluar një mbështetje të tillë në votë të shprehur në 568 pikë (ose delegatë). Santorum renditet i dyti me 273, ndjekur nga Gingrich me 135 dhe Paul me 50. Kandidati që do të grumbullojë 1 144 pikë do të fitojë emërimin zyrtar.
Sipas burimeve “të mirëinformuara”, fushata e Romney do të marrë një tjetër mbështetje vendimtare të enjten, me ish-presidentin George Ë. Bush që pritet të shpallë mbështetjen për të.
Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se mbështetja e senatorit të Floridës, me origjinë latine, do të jetë shumë e rëndësishme edhe për të bindur amerikanët amerikanolatinë që të votojnë për Romney.
”Mendoj se kjo fushatë ka qenë e shkëlqyer deri tani, pasi i ka lejuar të gjithë që të marrin pozicione të qarta për çështje me rëndësi vendimtare për vendin. Personalisht, iu them konservatorëve se nuk kam dyshime që Romney do të qeveriste dhe administronte vendin si një konservator i vërtetë”.
Të enjten, mediat raportuan gjithashtu nga burime brenda fushatës së Gingrich, se ai është shumë pranë shpalljes së tërheqjes së tij nga gara.
Top Channel