Presidenti sirian, Bashar al Assad kreu një vizitë surprizë në qytetin rebel të Homsit, qytet që prej muajsh me radhë ishte jashtë kontrollit të forcave qeveritare.
Vizita mbërrin në një moment kur Damasku zyrtar ka pranuar planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan për pushimin e luftimeve mes forcave rebele dhe atyre qeveritare dhe rivendosjen e paqes në vend.
Qyteti, që deri para pak ditësh ishte nën rrebeshin e artilerisë ushtarake qeveritare, ishte i blinduar nga forca të shumta sigurie. Presidenti sirian, Assad u ndal edhe tek lagjja Baba Amër, lagjja kryeqendër e kryengritjes popullore kundër qeverisë ku dhe u regjistruan viktimat më të mëdha të rebelimit disa-mujor.
Analistët ndërkombëtarë e quajnë vizitën e Assad si një skenar që ka dashur të përcjellë mesazhin e triumfit të presidentit sirian ndaj rebelëve dhe që tregon qartë forcimin e pozitave të tij në krye të Sirisë.
Por a është kjo një shenjë e dështimit të revolucionit në Siri? Me shumë gjasa po. Plani i OKB-së për të rivendosur paqen në vend, që përbëhet nga gjashtë pika, nuk kërkon largimin e Assad nga pushteti apo mbajtjen e zgjedhjeve, por një pikë e rëndësishme është pika gjashtë e planit ku edhe mund të mbështeten forcat opozitare anti-Assad.
Por cfarë përmban ky plan? 1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian, 2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët, 3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti, 4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare, 5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët dhe 6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.
Top Channel