Auditi:Administrata shpërdoroi 11.5 mln USD

15/03/2012 00:00

Edhe pse qeveria ndërmori masa drastike në shkurtimin e shpenzimeve duke mos kursyer as shtresat në nevojë, kjo nuk e ka penguar administratën publike t të vazhdojë abuzimet me fondet e buxhetit.

Drejtori i Auditit, Hysen Muceku tha se vitin e kaluar dëmi ishte 11.5 milionë dollarë.
 
“Nga auditimet e kryera janë konstatuar 3177 raste të shkeljeve për të cilat ndikimi negative financiar negative llogaritet në vlerën 1 miliard e 153 milion e 151 mijë lekë, ku një pjesë të konsiderueshme zënë pagesat e personelit”, tha drejtori i Auditit, Hysen Muceku.

Sipas tij abuzimet më të mëdha vihen re me pagesat për nënpunësit e administratës, si dieta e shpërblime, por edhe menaxhimin e pasurive dhe investimeve publike. Drejtoria e Auditit thotë se shumica e shkeljeve ndodhin ngaqë punonjësit e administratës nuk i respektojnë ligjet financiare në fuqi.
 
“Në fushën e menaxhimit të fondeve dhe pasurive si dhe të investimeve publike, vlerësimi i objekteve pas investimit nuk është bërë konform rregullave, shkelje e mangësi  janë konstatuar në sistemet e kontabilitetit e raportimit financiar që konsistojnë në gabime materiale në regjistrimin e transaksioneve të rëndësishme, shmangien nga standardet e miratuara apo pasqyrim jo të saktë dhe korrekt të situatës financiare në deklaratat financiare. Problem janë hasur në fushën e zbatimit të akteve ligjore dhe proceduriale deri në moszbatim apo keqinterpretim të ligjeve dhe VKM-ve”, shtoi Muceku.

Drejtoria e Auditit thotë se vitin e kaluar bëri 2753 misione auditimi dhe për gjithë shkeljet e konstatuara ka kërkuar marrjen e masave duke dhënë edhe rekomandimet përkatëse. 

Top Channel