Gjermania dhe Ukraina zgjerojnë bashkëpunimin, gati projektet e përbashkëta
Bllokimi diplomatik mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijon të thellohet, ndërsa Teherani refuzoi të martën çdo ndryshim në propozimet e tij për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, duke kërkuar një marrëveshje që garanton ndalimin e përhershëm të armiqësive në rajon.
Kryenegociatori iranian Mohammad Bayer Ghalibaf deklaroi se “nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të të drejtave të popullit iranian”, duke iu referuar propozimit me 14 pika të paraqitur nga Teherani. Ai paralajmëroi gjithashtu se sa më shumë të zgjasin negociatat, aq më i lartë do të jetë “çmimi” për SHBA-në dhe ekonominë globale.
Deklarata erdhi pasi Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë kundërpropozimin iranian, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe “për plehra”. Trump e krahasoi armëpushimin e 8 prillit me një pacient “në mbështetje mekanike të frymëmarrjes”, duke lënë të kuptohet se marrëveshja është shumë e brishtë.
Sipas mediave ndërkombëtare, propozimi fillestar amerikan përfshinte një plan për ndalimin e luftimeve dhe një kornizë negociatash mbi programin bërthamor iranian. Në përgjigje, Teherani kërkon fundin e menjëhershëm të luftës në të gjithë rajonin, përfshirë Libanin, heqjen e bllokadës detare amerikane dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Ndërkohë, tensionet mbeten të larta në Ngushticën e Hormuzit, arteria strategjike për transportin global të naftës. SHBA ka paralajmëruar rifillimin e operacioneve ushtarake për shoqërimin e anijeve tregtare, ndërsa Irani vazhdon të mbajë nën kontroll shumicën e pikave të lëshimit të raketave në rajon.
Sipas burimeve të inteligjencës amerikane të cituara nga New York Times, Irani ruan ende rreth 70% të arsenalit të tij raketor operacional, pavarësisht sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael.
Kriza ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregjet ndërkombëtare, me çmimin e naftës Brent që ka kaluar 108 dollarë për fuçi. Kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdelrahman al-Thani paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit nuk duhet të përdoret si “armë presioni”.
Në Liban, sulmet ajrore izraelite kanë vijuar, ndërsa Ministria e Shëndetësisë raportoi se të paktën 13 persona u vranë vetëm gjatë së martës në jug të vendit. Sipas autoriteteve libaneze, që nga armëpushimi i shpallur më 17 prill, më shumë se 380 persona kanë humbur jetën nga bombardimet.
Në të njëjtën kohë, lideri i Hezbollah, Naim Qassem, deklaroi se çështja e çarmatimit të grupit nuk do të diskutohet në negociatat me Izraelin.
Të gjithë sytë tani janë drejt Pekinit, ku pritet takimi mes Donald Trump dhe Xi Jinping, ndërsa SHBA kërkon të ushtrojë presion mbi Kinën për të ndikuar ndaj Iranit dhe për të zbutur krizën në rajon.
Top Channel