Ministria kundër farmacive

09/01/2012 15:50

Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave Besnik Jaku kundërshton
deklaratat e Urdhërit të Farmacistit për rritjen e çmimit të barnave me
20 përqind, për shkak të vendosjes së pullës fiskale.

Sipas tij vendosja e kesaj pulle nuk ka kosto që të ndikojë në rritjen e çmimit të barnave. Qellimi i saj eshte te vere me ne kontroll tregun farmaceutik.

“Bëhet fjalë të vendoset një pullë që do të jetë dyfishe, që ka një kosto shumë të vogël, por pak më të madhe se pulla aktuale, e cila nuk ka asnjë lloj ndikimi në çmimin e barnave, nuk bëhet fjalë për të patur asnjë lloj ndikimi. Pulla dyfishe është më e sigurtë, më cilësore. Kemi pullën aktuale që ka një kosto dhe paguan importuesi dhe prodhuesi, nuk ka lidhje me çmimin përfundimtar në shitje. Pulla e re që do të vendoset nuk do të sjellë asnjë lloj ndryshimi në çmimin e barnave. Nuk do të jetë pulla që do të kemi aktualisht, por do të jetë një pullë tjetër”, tha Jaku.

Sipas Jakut nuk ka pasur dhe nuk do te kete rritje te çmimit te ilaçeve, por Urdhri i Farmacisteve kerkon te perhape panik, pasi eshte kunder reformave te ndermarra nga Ministria e Shendetesise ne tregun farmaceutik.

Jaupllari: Ilaçet, 20 % më të shtrenjta

Çmimet e medikamenteve do të rriten me 20 % këtë vit, për shkak të pullës fiskale që do të shtohet në ambalazhet e tyre.

“Eshtë vendosur TVSH-ja e barnave. Eshtë vendosur një pullë, e cila do të jetë pulla fiskale, që do të rrisë çmimin për vitin 2012 rreth 20 përqind më shumë se sa pulla e sotme, që është vendosur në kutitë e barnave”, thotë Arjan Jaupllari, president i Urdhërit të Farmacistit.

Presidenti i Urdhërit të Farmacistit
ka radhitur te gjitha problemet e tregut farmaceutik, duke nisur qe nga heqja e kritereve per ngritjen e një farmacie, cka sipas tij, le pa sherbim shume zona rurale për shkak të ngritjes së shumë farmacive në të njëjtën zonë. Por kritika jane leshuar edhe ndaj universiteteve private, qe sipas tij, diplomojne farmaciste te pakualifikuar.

Top Channel