Abdul El-Sayed fiton në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në SHBA, ironizon J.D. Vance: Habibi im, në janar do të jesh i detyruar të më japësh betimit
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA dhe forcimi i demokratëve në Kongres pritet të ndryshojnë ndjeshëm klimën politike në Uashington, duke sjellë pasoja edhe për marrëdhëniet me Evropën.
Sipas një analize të Politico, dy vitet e fundit të presidencës së Donald Trump mund të karakterizohen nga tensione më të mëdha me aleatët evropianë, pasiguri për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe përshkallëzim i konflikteve politike brenda SHBA-së.
Edhe pse demokratët pritet të kenë më shumë mundësi për të penguar nismat e administratës Trump përmes hetimeve parlamentare, miratimit të buxhetit dhe kontrollit të Kongresit, kjo nuk nënkupton se presidenti amerikan do të humbasë ndikimin në politikën e jashtme.
Trump ruan kompetenca të rëndësishme në fushën e diplomacisë, sigurisë kombëtare dhe tregtisë, ndërsa mund të përdorë urdhrat ekzekutivë për të ndjekur objektivat e tij. Për këtë arsye, analistët paralajmërojnë se humbja në zgjedhje mund ta shtyjë presidentin amerikan drejt një politike edhe më konfrontuese në arenën ndërkombëtare.
Politico identifikon pesë skenarë që mund të përcaktojnë zhvillimet në Evropë dhe më gjerë gjatë dy viteve të ardhshme.
1. Evropa mund të përballet me presion edhe më të madh nga Trump
Një prej skenarëve që konsiderohet më i mundshëm është rritja e presionit të administratës amerikane ndaj aleatëve evropianë.
Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, ish-president i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, paralajmëron se humbja zgjedhore nuk duhet të krijojë pritshmëri për marrëdhënie më të mira mes dy anëve të Atlantikut.
Sipas tij, Evropa duhet të përgatitet për më shumë tensione dhe kërkesa nga Trump.
Ndërsa demokratët do të kenë mundësi të sfidojnë vendimet e presidentit përmes Kongresit, Trump mund të zgjedhë politikën e jashtme si një fushë ku të demonstrojë se vazhdon të ketë kontrollin.
Sipas Politico, Evropa ka qenë prej kohësh në shënjestër të Trumpit dhe mbështetësve të lëvizjes MAGA, të cilët kanë kritikuar politikat evropiane dhe kanë kërkuar ndryshime në marrëdhëniet transatlantike.
2. Ukraina mund të marrë më shumë mbështetje nga SHBA-ja
Forcimi i demokratëve në Kongres mund të krijojë mundësi për rritjen e ndihmës amerikane për Ukrainën, pasi shumica e tyre kanë mbështetur vazhdimisht furnizimin e Kievit me armë dhe ndihmë financiare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të presë një ndryshim të menjëhershëm të politikës amerikane.
Bronwen Maddox, drejtoreshë e institutit britanik Chatham House, paralajmëron se nuk duhet pritur një shpëtim i menjëhershëm për Ukrainën. Sipas saj, edhe nëse demokratët vendosin të rrisin ndihmën, përfshirë fondet financiare, zbatimi i vendimeve mund të kërkojë muaj apo edhe vite.
Ndërkohë, Kievi ka nevojë urgjente për përforcime ushtarake, veçanërisht për raketa të sistemeve Patriot, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen ajrore nga sulmet e vazhdueshme ruse.
3. Trump mund të kërkojë një marrëveshje paqeje në favor të Rusisë
Një tjetër skenar lidhet me përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke e paraqitur veten si një president që synon zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Megjithatë, qëndrimi i tij ndaj Kievit dhe Moskës ngre pikëpyetje për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Ish-diplomati amerikan Kurt Volker paralajmëron se Trump mund të anashkalojë kundërshtimet e Ukrainës dhe të aleatëve evropianë, duke vendosur të lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë dhe të rikthejë marrëdhëniet ekonomike me Moskën.
Sipas tij, presidenti amerikan mund të udhëzojë Departamentin e Thesarit që të mos zbatojë më disa prej sanksioneve dhe të ndjekë marrëveshje të reja energjetike me Rusinë. Trump ka diskutuar gjithashtu mundësinë e rikthimit të kompanive të mëdha amerikane në tregun rus.
Nga ana tjetër, Volker e konsideron më pak të mundshëm realizimin e kërcënimeve të Trumpit për tërheqjen e SHBA-së nga NATO apo reduktimin e ndjeshëm të trupave amerikane në Evropë, pasi një vendim i tillë nuk do të kishte mbështetje të mjaftueshme politike në SHBA.
4. Kriza energjetike mund të rëndojë më tej Evropën
Një tjetër çështje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në Evropë është kriza energjetike, e lidhur me konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas analizës së Politico, pa një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit që do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, çmimet e energjisë mund të mbeten të larta, duke rënduar më tej ekonomitë evropiane dhe koston e jetesës.
Pasojat pritet të ndihen edhe në sektorin e transportit ajror. Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, industria mund të përballet me një krizë të vërtetë deri në mars ose prill të vitit të ardhshëm.
Për Trumpin, situata paraqet një zgjedhje të vështirë: të rifillojë operacionet ushtarake me shpresën e detyrimit të Teheranit për të bërë lëshime, të tërhiqet nga përballja ose të heqë dorë nga përpjekjet për zgjidhjen e krizës.
Një operacion i ri ushtarak do të rrezikonte të rriste më tej çmimet e energjisë dhe do të ishte jopopullor në SHBA, veçanërisht pas humbjes së republikanëve në zgjedhje.
5. Përplasjet politike në Uashington mund të lënë në hije politikën e jashtme
Skenari i fundit lidhet me mundësinë që SHBA-ja të përfshihet në një periudhë të gjatë përplasjesh politike të brendshme, duke lënë më pak hapësirë për çështjet ndërkombëtare.
Demokratët pritet të nisin hetime të gjera mbi vendimet e administratës Trump gjatë dy viteve të para të mandatit të tij të dytë. Përfaqësuesi demokrat Robert Garcia, i përmendur si kandidat i mundshëm për të drejtuar Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, ka paralajmëruar kundërshtarët politikë të Trumpit se duhet të përgatiten për këtë proces.
Megjithatë, disa figura demokrate kanë bërë thirrje për shmangien e një përpjekjeje tjetër për shkarkimin e presidentit, duke argumentuar se partia duhet të përqendrohet te çështjet ekonomike, rritja e pagës minimale federale dhe vendosja e rregullave të reja etike në institucionet shtetërore.
Sipas John F. Harris të Politico, përplasjet nuk do të kufizohen vetëm mes republikanëve dhe demokratëve, por mund të përhapen edhe brenda vetë dy partive, të cilat do të duhet të përcaktojnë strategjinë e tyre për epokën pas Trumpit.
Në këtë mënyrë, dy vitet e fundit të presidencës së Trump pritet të shoqërohen me një klimë të paqëndrueshme politike në Uashington, ndërsa Evropa do të duhet të përballet me pasigurinë për mbështetjen amerikane në çështjet e sigurisë, luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.
Top Channel